Aktualitet Del VIDEO e arrestimit të Altin Hajrit dhe misteri mbi lirimin me...

Del VIDEO e arrestimit të Altin Hajrit dhe misteri mbi lirimin me urdhër nga lart

Gazetari Artan Hoxha publikoi në ABC News pamjet e arrestimit të Altin Hajrit nga grupi i gatshëm dhe forca operacionale të policisë së qarkut Durrës më datë 26 janar 2017. Hajri, i akuzuar si drejtues i grupit kriminal që rrëmbeu dhe më pas zhduku pa lënë gjurmë kufomën e Jan Prengës më datë 17 janar 2020, për më shumë se një dekadë e gjysmë ka qenë një nga bosët më të njohur të trafikut të heroinës afgane nga Shqipëria në drejtim të Italisë.

Gazetari i Abc News Artan Hoxha u shpreh se Hajri u shpall në kërkim ndërkombëtar pas një operacioni të policisë italiane më 28 tetor 2015 që synonte të shpërbënte të gjithë grupin Hajri dhe rrjetin e tij në Itali. Pavarësisht se u kap mbi një ton lëndë narkotike, heroinë, kanabis etj. Altin Hajri, koka drejtuese e grupit nuk u arrestua.

Rreth 8 muaj më vonë në rrethana të paqarta, më 6 maj 2016 emri i Hajrit u hoq nga lista e personave të kërkuar nga Interpoli. Emri i tij është regjistruar gjatë bisedave të përgjuara nga prokuroria për llogari të dosjes 339, si i implikuar bashkë me persona të tjerë të botës së krimit në zonën e Shijakut dhe të Durrësit të përfshirë në blerjen e votave gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.

Në video shfaqet momenti kur Hajri sapo ka shkuar me mjetin e tij, një Mercedes Benz luksoz pranë një lavazhi në zonën e Shijakut, dhe aty duken efektivët e policisë që e arrestojnë. Fillimisht Hajri reziston por më pas shtrihet përtokë nga policia.

Pavarësisht arrestimit vetëm disa orë me vonë me ndërhyrje nga lart në rrethana të pasqaruara policia e Durrësit është detyruar ta lërë të lirë… Ky është arrestimi i parë dhe i fundit i Altin Hajrit nga policia, edhe gjatë operacionit të fundit të Reneas në kompleksin “Gold” në Shijak ai i shpëtoi arrestimit.

Lidhjet politike

Hoxha deklaroi se Altin Hajri kishte mbështetje të fortë politike.

“Jan Prenga nuk është emër i ekspozuar për autoritetet tona, ndërsa familja Hajri ka patur avantazh se nuk ka qenë i ekspozuar në ngjarje me pengmarrje, por ka histori të gjatë në trafikun e lëndëve narkotike. Është një nga emrat që italianët e kanë mbajtur në mbikqyrje. Altin Hajri është shpallur në kërkim, pasi janë kapur mbi 1 ton lëndë narkotike. Ky e merrte vetë në Afganistan dhe e shpërndante në Itali, por çuditërisht nuk u kap dhe u hoq kërkimi ndërkombëtar. Kishim fushatën e zgjedhjeve të 2017, kemi parë përgjime të shumë personazheve të botës së krimit dhe lidhjet me politikën. Grupi Hajri ka qenë i përfshirë në koalicionin me një nga partitë që qeverisnin vendin. Policia e Shtetit në atë kohë ka kërkuar të veprojë, por ka patur pengesa, Adriatik Llalla ishte në atë kohë Prokuror i vendit

Para fushatës elektorale, Policia e Shtetit ka bërë një operacion, ka ndodhur një ngjarje më shkëmbin zjarri në Shijak, pas vëzhgimeve policia ka organizuar arrestimin e tij në mënyrë sekrete dhe e kanë prangosur. Vetëm disa orë më vonë është ndërhyrë dhe është kërkuar që ky person të lirohet, më vonë është shkarkuar drejtori i policisë.

Këta nuk janë njerëz që kanë dalë papritur, ky grup është fuqizuar kaq shumë sepse ka patur mbrojtje politike. Të rrëmbesh një person në mes të Kamzës gjatë ditës dhe ta zhdukësh atë, e të mos gjendet as gjurmë e asgjë, e bën dikush që është i sigurt që nuk do të ndiqet”, tha gazetari.