Politika Delegacioni nga Senati Amerikan takon Bashën: Dy çështjet që u diskutuan

Delegacioni nga Senati Amerikan takon Bashën: Dy çështjet që u diskutuan

Kreu demokrat, Lulzim Basha, priti në një takim këtë të enjte një delegacion nga Senati Amerikan. Pas takimit, kryetari i Partisë Demokratike u shpreh se dy ishin çështjet e diskutuara, demokracia në vend dhe problemet e rajonit dhe ofensiva e forcave jo perëndimore.

“Dy janë çështjet kryesore për të cilat kemi folur me delegacionin e lartë nga Uashingtoni. Njëra ka të bëjë me demokracinë shqiptare, udhëkryqin me të cilin ndodhet, veçanërisht pas masakrës zgjedhore të 25 prillit. Roli i opozitës shqiptare në parlament dhe në bashkëpunim me të gjitha forcat e gjalla të shoqërisë shqiptare dhe me ndihmën e SHBA për të rikthyer Shqipërinë në shinat e demokracisë. Përmes një vendi që është demokratik, ku nuk shkatërrohen zgjedhjet, ku ndëshkohet politikani i korruptuar, të krijojmë një klimë investimesh nga e cila të përfitojnë shqiptarët.

Çështja e dytë, po kaq e rëndësishme, ka të bëjë me rajonin, në veçanti sa i përket situatës së provokuar nga ringjallja hegjemoniste serbe përmes proceseve si ai i Novisadit dhe nevojës për të përforcuar praninë politike amerikane për t’iu kundërvënë çdo ofensive të forcave jo perëndimore ndaj arritjeve 30 vjeçare të SHBA-vë dhe të boshtit euroatlantik për stabilitetin e paqes në Ballkan”, u shpreh Basha.