Bota Demografia, “bombë” me sahat: Plakja e popullsisë solli dorëheqjen e qeverisë në...

Demografia, “bombë” me sahat: Plakja e popullsisë solli dorëheqjen e qeverisë në Finlandë

Demografia është kthyer në një nga sfidat më të vështira për Europën dhe në rastin e Finlandës, ka bërë që Kryeministri Juha Sipila të japë dorëheqjen.

Trajtimi i presioneve të plakjes dhe tkurrjes së popullsisë ka marrë rëndësi të madhe, për shkak të mirëqenies sociale dhe emigrimit të ulët. Sipas agjencisë së statistikave në vend, 25% e popullsisë do të jetë sipër moshës 65 vjeçare deri në vitin 2030.

Numri i tetëdhjetëvjeçarëve pritet të dyfishohet në 460,000 deri në vitin 2040, ndërsa nëntëdhjetëvjeçarët, pritet të trefishohen në 140,000.

Për rrjedhojë, ekonomistët flasin për një rritje gjigante të shpenzimeve në kujdesin shëndetësor, gjë që do të rrezikojë modelin e mirëqenies së Finlandës, që është një nga më të suksesshmit në botë dhe kushton sa gjysma e ekuivalentit amerikan.

Financat publike të Finlandës kanë një hendek mes të ardhurave dhe shpenzimeve të projektuara, prej 4% të PBB dhe borxhi është pranë limiteve të Bashkimit Europian.

Për rrjedhojë, qeveria e ardhshme do të duhet të rrisë të ardhurat apo ulur shpenzimet publike.

Finlanda ka një sistem të kujdesit shëndetësor tejet efektiv, me një kosto prej 4,170 dollarë për frymë, krahasuar me 10,210 usd në SHBA, sipas të dhënave të OECD. Analistët thonë se Qeveria e ardhshme do të duhet të krijojë 100,000 vende të reja pune që të nxisë punësimin në 75% të popullsisë në moshë pune, për të stabilizuar financat publike. Agjencia e vlerësimit të kreditit S&P paralajmëroi se do të konsiderojë zhvlerësimin e vendit nëse nuk ia del me reformat strukturore./Scan