Bota Dendias: Neo-otomanizmi nuk mund të jetë e ardhmja e Ballkanit

Dendias: Neo-otomanizmi nuk mund të jetë e ardhmja e Ballkanit

Referenca ndaj Turqisë ishte e qartë në fjalimin e ministrit të Jashtëm, Nikos Dendias, në takimin me homologen kosovare në Athinë.  “Neo-otomanizmi nuk mund të jetë e ardhmja e Ballkanit Perëndimor”, tha Dendias në konferencën që pasoi takimin me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gervalla-Schwarz, vetëm pak ditë pas vizitës së fundit të presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, në Shqipëri dhe Serbi.

Siç raporton “Kathimerini”, Dendias ka theksuar se Athina dëshiron të forcojë marrëdhëniet me Prishtinën dhe përsëriti angazhimin e vendosur të Greqisë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Ai po ashtu shprehu mbështetjen për liberalizimin e vizave për kosovarët pasi janë përmbushur kriteret e përcaktuara në udhërrëfyes.

Në të njëjtën kohë, kreu i diplomacisë greke ka vënë në dukje “zhvillimet veçanërisht shqetësuese në rajonin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor”.

Ai tha se Greqia dhe BE-ja janë të shqetësuara për situatën në Bosnje-Hercegovinë, duke shtuar se “rritja e nacionalizmit, tendencat destabilizuese… duket se po kërcënojnë sërish rajonin tonë”.

Dendias do të vizitojë edhe Beogradin më 28 janar krah kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, për të marrë pjesë në Këshillin e Lartë për Bashkëpunim Serbi-Greqi.

Greqia mbështet dialogun Beograd-Prishtinë, por vizita të premten e ardhshme shihet si një mundësi për të rindezur marrëdhëniet greko-serbe, të cilat së fundmi janë vënë në provë.