Aktualitet Dënimi i Tahirit për “shpërdorim detyre”, Prokuroria do të ankimojë vendimin

Dënimi i Tahirit për “shpërdorim detyre”, Prokuroria do të ankimojë vendimin

Prokuroria për Krime të Rënda do të apelojë vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Organi i akuzës bëri të ditur për mediat se ky apelim është një detyrim ligjor. Në vendimin e dhënë ditën e djeshme, gjykata i rrëzoi të gjitha akuzat e ngritura ndaj Tahirit dhe e dënoi atë me 3 vite shërbim prove vetëm për “shpërdorim detyre”.

Prokuroria kërkoi javën e shkuar dënimin e ish Ministrit të Brendshëm me 12 vite burg, ndërkohë që ndaj tij kishte ngritur tre akuza: “Trafikimi i narkotikëve në bashkëpunim”,  “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Korrupsion i zyrtarëve të lartë”.

Por gjykata i rrëzoi këto akuza, duke vlerësuar se nuk kishte prova për t’i mbështetur ato.

Edhe ish-ministri Tahiri paralajmëroi mbrëmë se do ta apelojë vendimin e Gjykatës, te cilin e quajti qesharak.