Aktualitet Dënohet “La Nonna” shqiptare dhe burri i saj, hiqeshin si bamirës, por...

Dënohet “La Nonna” shqiptare dhe burri i saj, hiqeshin si bamirës, por mashtronin emigrantët shqiptarë

Pranvera Smith dhe Flamur Daka

Një çift shqiptarësh janë arrestuar në Angli, pasi kishin ngritur një skemë mashtrimi. Sipas mediave vendase çifti, Pranvera Smith dhe Flamur Daka, kishin krijuar një organizatë bamirësie, por në të vërtetë u merrnin para emigrantëve që kërkonin azil në Britani të Madhe.

47-vjeçarja Pranvera Smith, kishte krijuar organizatën për të ndihmuar qytetarët nga Shqipëria, të cilët kërkonin azil pasi ndiheshin të rrezikuar në vendin e tyre.

Ndërkohë partneri i saj 44-vjeçari Flamur Daka, përdorte shoqatën e bamirësisë që financohej nga “Big Lottery” dhe ndihmonte për të trafikuar emigrantë.

Çifti hiqej sikur ndihmonte emigrantët, duke u kërkuar atyre 1 mijë deri në 4 mijë Paundë, për të dhënë këshilla për emigracionin, por në fakt këto përfitohen falas.

Smith është bërë e famshme në mediat vendase, pasi ajo përdorte nofkën “La Nonna” (gjyshja) dhe kishte ndërtuar një grup të mirëfilltë kriminal. Ata frikësonin dhe detyronin emigrantët që të punonin dhe në ferma droge.

Gjykata lidhur me këtë çështje ka dhënë dënim me 5 vite e 4 muaj për Pranvera Smith, ndërsa Flamur Daka u dënua me 4 vite burgim. Çiftit iu gjetën edhe disa kilogramë drogë gjatë kontrollit fizik dhe në banesë.