Aktualitet Dënohet me dy vite e 6 muaj burg ish-drejtori i burgut “313”

Dënohet me dy vite e 6 muaj burg ish-drejtori i burgut “313”

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 2 vite e 6 muaj burg ish-drejtorin e burgut 313 Eduard Strugaj për ryshfet dhe abuzim me detyrën.

Me 4 vite burg është dënuar shefi i Logjistikës, Florian Ahemtaj. Strugajt dhe Ahmetajt iu është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.

Ndërsa biznesmeni Ervin Kurtulla është dënuar me 3 vite burg.

Nga hetimet rezultoi se 3 të sipërpërmendurit i kanë kërkuar dhe marrë 457 mijë lekë ryshfet sipërmarrësit të kafeve me makineta, Ilirjan Paço në këmbim të një kontrate qiraje për të ushtruar aktivitetin në mjediset e paraburgimit.

Në fillim të këtij viti dy zyrtarët i kanë kërkuar Paços 100 mijë lekë, para të cilat ai ia ka dhënë Ervin Kurtullës dhe ky i fundit Ahmetajt dhe Strugajt.

Sakaq, Florian Ahmetaj akuzohet se ka hapur një kompani dhe duke përfituar nga pozita e tij, e ka regjistruar në emër të kunatit, për të marrë 12 tendera, me vlerë rreth 2.7 milionë lekë.