Aktualitet Deportohet nga SHBA i riu shqiptar, pjesë e grupit kriminal të Lazaratit...

Deportohet nga SHBA i riu shqiptar, pjesë e grupit kriminal të Lazaratit ku mbeti i vrarë efektivi Basha

Ruhan Hiraj i arrestuar në Shtetet e bashkuara të Amerikës për vrasjen e punonjësit të policisë Ibrahim Basha në Lazarat është ekstraduar në Shqipëri. 22-vjeçari Hiraj u ndalua në dhjetor të 2017 në Nju Jork pasi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar me vendim të gjykatës së krimeve të rënda.

Hiraj është dënuar me 15 vjet burg për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Rendit publik me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi i armëve luftarake“, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pjesëmarrja në bandën e armatosur”. Më 24 qershor të vitit 2015, forcat Rena ndërhynë në fshatin Lazarat, pasi disa persona të armatosur po qëllonin në drejtim të policisë. Gjatë ndërhyrjes i Hiraj bashkë me persona të tjerë hapën zjarr ndaj policisë duke lënë të vrarë Ibrahim Bashën.

Në të njëjtën ngjarje u plagosën dy efektivë të tjerë në një furgon ku ndodheshin gjithsej 6 punonjës policie. Ndërkohë në mars të vitit të kaluar gjykata e krimeve të rënda Krimet e Rënda ka dhënë dy burgime për jetë për dy prej kokave të grupit të zjarrit Albion Aliko dhe Bajram Boçi. Ndërsa janë dhënë edhe 150 vite burg për 9 të akuzuarit e procesit “Lazarati 2”.