Nga Kliton Nesturi
Me gjithë zhvillimet dhe ngarendjet e temave, stileve dhe formave që ka marrë gjatë këtij shekulli letërsia dhe publicistika, satira vazhdon të mbetet gjinia më e vështirë. Të shkruash satirë duhet të jesh i pajisur me kulturë, pjekuri artistike dhe intelektuale e mbi të gjitha të kesh një frymë polemiste ndaj realitetit dhe fenomeneve që të shqetësojnë. Të shkruash satirë, si letërsi ashtu edhe publicistikë, është me të vërtetë një shkallë e lartë dhe nuk ka asgjë të përbashkët me banalitetin apo humorin bajat që prodhohet shpesh në televizionet tona apo në rrjetet sociale, ashtu siç pretendojnë sot shqiptarët.
Në historinë e letërsisë dhe të publicistikës shqiptare mjaft personalitete të letrave duke filluar që me Andon Zako Çajupin, e duke vazhduar me Gjergj Fishtën, Mitrush Kutelin, Gjergj Bubanin, Nonda Bulkën, Niko Nikollën, Qamil Buxhelin,e mjaft të tjerë e kanë lëvruar me mjaft sukses këtë gjini duke krijuar jo vetëm një shkollë-korpus, por mbi të gjitha vepra të larta. Në fund të fundit, ashtu siç shprehet edhe Molieri, satirën nuk e shkruan kushdo.
Të gjitha këto më erdhën ndër mend ndërsa mora në duar dhe lexova librin me të ri të Leonard Veizit “Depresioni Kuq e zi”, publicistikë satirike, botuar nga “Botimet M & B”. Për të gjithë opinionin dhe lexuesin shqiptar, Leonard Veizi është i njohur si një prozator i cili me veprat e tij për më se tre dekadash, tregime, novela dhe romane, ka krijuar identitetin dhe gjurmën e tij në letërsinë shqiptare. Gjithashtu, brenda së njëjtës periudhë, publicistika e tij, përpos aspektit kronikal dhe atij dokumentar, veçmas vitet e fundit, është e përshkuar shpeshherë nga fryma polemiste.
“Depresioni Kuq e Zi”, vjen pas botimit të veprës tjetër të tij me publicistikë “Depresioni blu”. Gjithmonë në jetën e autorëve kalimi nga një gjini në tjetrën nuk është thjesht një pasuri letrare, por edhe kontribut intelektual. Kritikë të ndryshëm, shpesh këto kalime i shohin edhe fazat nëpër të cilat kalojnë etapat e krijimtarisë, ku krijimtaria letrare ndërthuret me atë publicistike, pa u ngatërruar me njëra-tjetrën; kur njëra shpërthen – tjetra hesht përkohësisht, dhe anasjelltas.Për çdo autor, është fat të ketë një pasuri të tillë. Po le t’i kthehemi veprës. Ndryshe nga “Depresioni blu”, i cili për hir të së vërtetës është një korpus i pasur temash, idesh dhe ngjarjesh të ndodhura gjatë në kohë, e të parë në një sy të thellë kritik, “Depresioni Kuq e Zi”vjen në zhanrin e publicistikës satirike. Ndërtuar mbi tre kolona bazë (“Orientalizëm pagan”, “Toksicitet rekreativ”, “Hajvanëri kontemporane”) dhe një Intermexo (Intimidim spektakolar”), në këtë vepër janë përfshirë ngjarje dhe fenomene të viteve të fundit, të cilat autori i ka trajtuar me mprehtësi në shtypin e shkruar. Në të dyja këto vepra, Leonard Veizi ruan të njëjtin stil, por ato dallohen nga mënyra e trajtesës, gjuha dhe risitë. Të bësh një kapërcim të tillë brenda një kohe të shkurtër nuk është aspak e lehtë. Duhet guxim dhe kurajo krijuese, mbi të gjitha në gjetjet e mënyrës së trajtimit të temave.
Nuk është e thënë që të jesh gazetar duhet të jesh patjetër një publicist. Për të realizuar një vepër të tillë nuk mjafton të jesh një vëzhgues i mirë. Në radhë të parë, për të qenë publicist duhet të jesh intelektual dhe t’i shohësh gjërat shumë thellë, deri në palcë, pavarësisht se dhembin, duke qenë i ashpër me të gjithë dhe gjithçka, (madje edhe me veten), me të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen.

Opusi i temave që trajtohen në këtë vepër është shumë i gjerë; në të përshihen që nga marrëdhëniet e përditshme të bashkëjetesës në komunitet, tek amplifikimi i madh i ngjarjeve dhe fenomeneve që “pushtojnë” jetën shqiptare (shpesh edhe absurde), apo edhe te paradokset “patriotike” dhe “ngjarjet historike”. Të gjitha këto janë ato që shoqërojnë shoqërinë shqiptare në këtë epokë paradoksesh, me qëllim ose jo e kanë zhytur atë një depresion të thellë. Ironia dhe sarkazma, të cilat janë të pranishme gjatë gjithë kësaj vepre nuk janë qëllim në vetvete i autorit. Ato burojnë krejt natyrshëm, ashtu siç ndodhë tek çdokush, që ka sy vëzhgues, shpirt të thellë dhe dashuri për vendin ku jeton. Fatkeqësia shkrimtarëve dhe e publicistëve të mirëfilltë, është se ata përditë shohin thellë e më thellë, dhe kjo i bën që të vuajnë. Vuajnë për veten, për të tjerët, për fatin e vendit dhe të shoqërisë, njëjtë si Sokrati i lashtë. Çdo fjalë e tyre është një refleksion, që i shtyn të tjerët të bëhen më të mirë me veten dhe tjetrin, shoqërinë dhe vendin ku jetojnë. Kjo është pesha e publicistikës. Më pas është përgjegjshmëria e njerëzve për të reaguar ose jo. Kjo varet nga shkalla e emancipimit të individit dhe e popullit.
“Ndërkohë na duhet një Konstandin i ri. Për të dhënë mesazhe të reja.
Po ku është ai?
Shqiptarët duket se kanë rënë në apati. U mungon frymëzimi për ngritje kauzash dhe mbrojtje të tyre. Mund t’ia hedhim fajet perandorisë osmane dhe trysnisë së saj 500-vjeçare. Por mund të fajësojmë edhe regjimin komunist që në emër të njeriut të ri, vazhdoi procesin për të krijuar një hibrid pa identitet.
Dhe tani shqiptarët gjenden në një tjetër udhëkryq.
Megjithatë sot nuk është e dukshme që shqiptarët të jenë ballë për ballë me të keqen, të mbajnë të mbërthyer atë që të mos ketë mundësi të bëjë hapa para. Shqiptarët thjesht po largohen, pa e vrarë shumë mendjen se e keqja do mbulojë atë ç’ka lënë pas.”
(“Shqiptarët, në kushtet e reja të përkeqësimit të klimës”)
Gjithçka që vihet re sot është refleksion i historisë dhe i së shkuarës sonë, karakterit dhe mentalitetit, i cili nuk ka ndryshuar shumë (për të mos thënë aspak) nga koha kur shkruanin Çajupi, Fishta, Kuteli, Bubani, Bulka, Nikolla, Buxheli, e të tjerë. Kjo vepër e Leonard Veizit është një pasqyrë e epokës që po jetojmë, dhe si e tillë mbart vlera për të sotmen dhe të ardhmen. Duhet të shihemi në pasqyrë që të rregullojmë vetveten.
Publicitet nuk bëjnë analizat. Ata vetëm konstatojnë, njësoj si mjekët që u tregojnë pacientëve për sëmundjet që kanë dhe u japin barna për t’u shëruar. Por ndryshe nga mjekët që mbushin receta me barna dhe i orientojnë pacientët drejt kurave të ndryshme, për publicistët terapia e vetme ndaj individit dhe shoqërisë është vetëdijesimi i tyre. Njëkohësisht, ata janë dëshmitarët më të besueshëm të epokës kur jetojnë, janë arkitektët dhe ndërtuesit që ndërtojnë ura për të lidhur kohët. Duke lexuar “Depresionin Kuq e Zi”, vetvetiu të vjen ndër mend sentenca brilante e shkruar prej at Zef Pllumit: “Kurrgja në mos kjosh i zoti me bâ, rrno vetëm për me tregue.”