Aktualitet Deputeti i PS: Incidenti tek “Petro Nini” nuk ka lidhje me politikën

Deputeti i PS: Incidenti tek “Petro Nini” nuk ka lidhje me politikën

Deputeti i Partisë Socialiste, Adnor Shameti, i ftuar në një intervistë televizive u shpreh se përplasja që ndodhi ditën e djeshme në rrugën “Petro Nini Luarasi” mes dy familjeve nga njëra, dhe përmbaruesit dhe policisë nga ana tjetër, nuk ka prapavijë politike.

Shameti  tha se “më tepër si specialist i së drejtës, do përpiqem të jap një opinion. Në dijenitë time dhe informacionin që kam, nuk ka lidhje me politikën ngjarja e djeshme. Në dijeninë time bëhet fjalë për një konflikt civil mes dy familjeve, konflikt gjyqësor dhe nuk di detaje për llojin e vendimit.

Por di që kanë shkuar një grup përmbaruesish për të ekzekutuar vendimin e gjykatës, që duket të ketë qenë i formë së prerë, mendoj dhe ka eskaluar situata në kontradikta mes palëve, pala që e ka fituar gjyqin dhe pala që e ka humbur gjyqin. Di që reagimi i Policisë së Shtetit dhe Ministrit të Brendshëm ka qenë i menjëhershëm duke marrë masa për qëndrimin e policisë, sado që nuk kemi të bëjmë me një konflikt ku kishte pjesëmarrje të IKMT-së apo të policisë bashkiake për prishje të një godine. Pra ishte thjesht një marrëdhënie juridiko-civile.

Në këto kushte duhet të jemi të qetë të gjithë, edhe opinioni publik duhet të jetë i qartë që, sado është një konflikt juridiko-civil duhet të zbatohen vendimet e gjykatës dhe të shikohet nëse kemi të bëjmë me vendim të formës së prerë apo jo dhe nëse është apo jo i ekzekutueshëm”.