Politika “Deputeti që duam” në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit

“Deputeti që duam” në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit

Më 10 Qershor 1878, në Prizren u mbajt ajo që sot në histori njihet me emrin Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Rreziku që i kanosej Shqipërisë asokohe ishte aq i madh, sa diskutohej që pas Traktatit të Shën Stefanit, më 3 Mars 1878, vihej në pikëpyetje dhe vetë ekzistenca e një territori me emrin Shqipëri.

4 Vilajete, u bënë bashkë me zemër dhe me mendje për të ruajtur vendin nga coptimi dhe shfarosja. Ky është ndoshta bashkimi më i rëndësishëm në të gjithë historinë e kombit Shqiptar. Përballë rrezikut sllav në Ballkan, shqiptarët vendosën të bëhen bashkë, pikërisht 143 vjet më parë.

Sot, 143 vjet më pas, disa të rinj kremtuan dhe u përulën përpara veprës patriotike të Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit, Sulejman Vokshit, Mark Lules, Dedë Gjo Lulit, Haxhi Zekës, Iljaz Pashë Dibrës, Zija Bej Prishtinës e plot patriotëve e rilindasve të tjerë, të cilët arritën të mobilizonin mijëra shqiptarë për të rrëmbyer armët në mbrojtje të atdheut, e në ndërkohë që Pandeli Sotiri me shokë rendte me shpejtësi drejt asaj që në histori njihet si lufta me penë, duke përhapur dije. Përkohësisht akull mbi emrat e tyre! Por ja që vjen një ditë dhe koha shpërthen mbi embrionin e harresës!

16 të rinj dhe të reja të dalë nga platforma “Deputeti që Duam”, e nxitur dhe e formuar nga Partia Socialiste edhe përmes Akademisë Politike, u vetëorganizuan për të ndërmarrë një nismë aspak të zakontë në ditët e sotme. U bënë bashkë dhe vendosën që të përkujtonin këtë datë historike që botimet enciklopedike e kanë lënë gjithnjë e më shumë në harresë, ndërkohë që gjithnjë e më pak të tilla momente jubilare tërheqin vëmendjen e të rinjve.

Grupi i të rinjve i përbërë nga Andi Shkira, Daniel Garunja, Alfred Muharremi, Alba Bazaiti, Oresti Felahu, Helena Halilaj, Zhyljen Sava, Adelina Laci, Rozana Bela, Viola Eski, Arber Arapi, Kejda Ferra, Xhemelinda Sala, Ajlin Alfredaj, Agron Hasanaj, Lindita Barçi, vendosën të udhëtojnë drejt Prizrenit.

Vizitën e ndante vetëm kufiri ndoshta më i çuditshëm ndër të gjithë kufijtë. Gjithçka tjetër në këtë vizitë nuk kishte kufij. Grupi i të rinjve nga Shqipëria u prit në Kuvendin Komunal të Prizrenit nga Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së për Prizrenin, z.Burim Shala, i cili u kujdes deri në detaje për të gjithë mbarëvajtjen e vizitës. Pritja zyrtare u zhvillua nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit Komunal të Prizrenit z.Sulltan Badallaj dhe asambleistit të PDK Shkodran Kryeziu, në sallën e mbledhjeve të Kuvendit. U diskutua mbi rëndësinë historike të kësaj date kaq të rëndësishme si dhe mbi axhendën politike të dy vendeve respektive, në funksion të integrimit.

Më tej, vizita vijoi drejt Shtëpisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku nën kujdesin e z.Parim Kosova, u zhvillua një tur në të gjitha ambientet e brendshme të kësaj shtëpie që dikur ka shërbyer si godina ku është mbledhur qeveria dhe organizimi i parë modern i shtetit shqiptar.

Në përfundim, vizita zyrtare u përmbyll me takimin brenda ambjenteve të Universitetit të Prizrenit, ku të rinjtë nga Shqipëria u pritën nga z.Përparim Avdulla, z.Nehat Gashi dhe z.Milot Krasniqi. Duke qenë se disa nga të rintë janë pjesë e stafeve akademike, qasja e kësaj vizite ishte vlerë e shtuar e axhendës, teksa u diskutua për metodat dhe kurrikullat e programeve respektive.

Kjo vizitë është e vetmja e këtij lloji. Tingëllon çuditshëm se si 16 të rinj e të reja, lanë Tiranën në një ditë qershori, e tjetërndrysh nga ç’bënë bashkëmoshatarët e tyre që pushtuan plazhet e jugut, ata vrapuan drejt Prizrenit, për të takuar Abdyl Bej Frashërin, si për t’i thënë, se duhet ende shumë punë, që Shqipëria dhe Kosova të bëhen NJË, së bashku, aty ku e ëndërroi vetë Beu i frashërllinjve, në Europë!

Historia le t’i gjykojë!