Aktualitet Deputeti socialist: S’do lejojmë ta arrestojnë Tahirin

Deputeti socialist: S’do lejojmë ta arrestojnë Tahirin

Deputeti socialist, Bledi Çuçi, ka thënë se ekziston një klimë mosbesimi e krijuar nga vetë Prokuroria. Ai tha ndër të tjera në rubrikën “Opinion” në “News24” se Prokuroria u kishte ofruar anëtareve të opozitës dokumente që nuk i ishin dorëzuar Këshillit të Mandateve.

“Ka një klimë mosbesimi institucional të mbjellë nga vetë Prokuroria. Gjatë seancës në Këshillin e Mandateve ne pamë që Prokuroria u kishte ofruar anëtareve të opozitës dokumente që nuk i ishin dorëzuar Këshillit të Mandateve.

Prokuroria i mbante ato si dosje sekrete. Por ato nuk përbëjnë asgjë, pasi ato nuk përbënin sekret. Nuk ka dëshmitar të mbrojtur dhe nuk thotë asgjë për hetimin dhe Saimir Tahirin. Unë do doja të kishte një klimë më të mirë mes opozitës dhe mazhorancës”, tha Çuçi.

Sa i takon seancës së nesërme për çështjen “Tahiri”, ku do diskutohen dhe votohen raportet e Këshillit të Mandateve për të, deputeti i PS tha se mazhoranca e ka marrë vendimin si do veprojë.

“Nuk e di si do shkojë se seanca nga pikëpamja e rendit dhe nuk e di nëse opozita do jetë në votim. Ne e kemi marrë vendimin si do veprojmë nesër. Ne jemi të qartë në atë që do shprehim nesër dhe do i japim mundësi Prokurorisë të hetojë nëse është i përfshirë Tahiri apo jo. Por ne do përjashtojmë arrestin e tij, pasi nuk ka asnjë fakt që Tahiri është pjesë e kësaj bande që po gjykohet në Itali”, tha Çuçi.