Ekonomi Dërgimi i parave, Sejko: Kostot janë më të lartat në rajon

Dërgimi i parave, Sejko: Kostot janë më të lartat në rajon

Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Diasporën, organizuan një takim të nivelit të lartë për remitancat, me pjesëmarrjen e drejtuesve të bankave tregtare dhe subjekteve financiare jo banka në angazhuara në aktivitetin e transfertave të parave.

Guvernatori Sejko dhe ministri Majko vlerësuan kontributin e madh të emigrantëve në ekonominë shqiptare përmes dërgesave të parave, duke vënë njëkohësisht theksin te rëndësia e një përdorimi sa më efektiv të këtyre parave.

Ndërkohë që kostot e dërgimit të remitancave në Shqipëri janë më të larta në raport me rajonin.

Sipas një vrojtimi të Bankës Botërore, kosto e dërgimit të parave në rrugë formale në Shqipëri është 9.4% e shumës së dërguar, ndërsa për rajonin tonë mesatarja është 7.2%.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha të hënën se duhet punuar për të ulur kostot e transfertave, në mënyrë që të ulet edhe niveli i lartë i dërgesave cash.

“Duke vlerësuar përfitimet që rrjedhin nga depërtimi formal i remitancave në ekonomi dhe kontributin e deritanishëm të sektorit bankar dhe financiar, Banka e Shqipërisë sugjeron një vëmendje më të shtuar në drejtim të reduktimit të kostove të transfertave, dhe përmirësimit ose dizenjimit nga e para të produkteve dhe shërbimeve të dedikuara për këtë segment të popullatës. Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë angazhohet në modernizimin e mëtejshëm të infrastrukturave të sistemeve të pagesave, apo përshtatjen e legjislacionit me direktivat e Bashkimit Evropian, në funksion të një tregu të hapur, pa barriera dhe konkurrues”, u shpreh Sejko.

“Ekonomia dhe paratë e dërguara nga emigrantët gjatë viteve të tranzicionit kanë ndihmuar nivelin e jetës familjare shqiptare, por nuk ka ndikuar në zhvillimin strukturor të vendit. Ato kanë mbuluar mungesën e politikave efektive zhvillimore nën ndikimin e rregullave konservative të familjes tradicionale shqiptare. Shqipëria, pavarësisht nivelit të lartë të remitancave, nuk i ka përdorur ato për të siguruar rritje të strukturuar ekonomike”, shtoi ministri për Diasporën, Pandeli Majko.

Palët nënshkruan edhe një Memorandum Mirëkuptimi, me synim rritjen e ndërgjegjësimit, lehtësimin e dialogut dhe nxitjen e bashkëpunimit për çështje që kanë të bëjnë me kontributin e dërgesave në para nga emigrantët shqiptarë për zhvillimin e ekonomisë.