Kryesore Dërgonin armë dhe drogë nga Shqipëria drejt Italisë, shkatërrohet klani mafioz italo-shqiptar

Dërgonin armë dhe drogë nga Shqipëria drejt Italisë, shkatërrohet klani mafioz italo-shqiptar

Policia e Barit ka arrestuar 20 persona, të cilët akuzohen se kanë trafikuar armë dhe drogë nga Shqipëria drejt Italisë.

Sipas “Corriere della Sera”, urdhërarrestet janë ekzekutuar nga Guardia di Finanza, ndërsa hetimet për rastin janë kryer nga Antimafia e Barit. Sipas kësaj të fundit ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë se personat e arrestuar, prej dy vitesh kanë trafikuar tonelata marijuanë, pistoleta dhe pushkë automatike drejt Italisë.

Sipas “La Repubblica”, mes personave të arrestuar, edhe një shqiptar, Kristo Janku, me nofkën “Daja”, por edhe Antonio Prudentino, djali i kreut të një prej klaneve kriminale në Brindisi. Përveç arrestimeve janë sekuestruar pasuri me vlerë 1 milionë euro, 10 pistoleta dhe dy kallashnikovë.

Sipas Guardia di Finanza, grupi që vepronte në Bari dhe Brindisi, kishte kërkuar armët për t’i përdorur për të rritur dominimin e vet në një zonë që nuk ka një hierarki të qartë të organizatave kriminale, edhe pse njihet si territor i “Sacra Corona Unita”.

Gjithashtu janë sekuestruar edhe 8 gomone që përdoreshin për transportimin e lëndës narkotike, shpesh të vjedhur dhe të modifikuar për të rritur fuqinë e tyre.