Aktualitet Deri në 7 orë vonesa me fluturimet, kompensohen 800 pasagjerë

Deri në 7 orë vonesa me fluturimet, kompensohen 800 pasagjerë

Qytetarët shqiptarë të cilët kanë udhëtuar gjatë muajit shkurt i është dashur që të përballen me vonesa që variojnë nga 3 orë deri në 7 orë.

Autoriteti i Aviacionit Civil ka publikuar raportin ku rezulton se gjatë muajit që lamë pas edhe pse nuk ka pasur fluks të fluturimeve kanë vijuar vonesat me orë të zgjatura.

Probleme u regjistruan me vonesat sidomos të disa kompanive ajrore që operojnë fluturime drejt Italisë.

Ndër të tjera Autoriteti i Aviacionit Civil bën me dije se numri i kompensimeve për muajin Shkurt është rritur me 100 kompensime më shumë krahasuar me muajin Janar.

Aktualisht kompanitë ajrore kanë kompensuar me rreth 250 euro ose me bileta, rreth 800 pasagjerë që kanë plotësuar formularët e ankimimit për shkak të vonesave apo anulimit të fluturimit të tyre.

Pritet që në total numri i kompensimeve të rritet edhe më shumë pasi janë rreth 1200 formularë të tjerë animimi që janë pranuar nga kompanitë ajrore dhe janë në proces mbylljeje.

Autoriteti i Aviacionit Civil shqiptar përsërit apelin ndaj gjithë pasagjerëve që kanë plotësuar formularët dhe i kanë dorëzuar, në mënyrë që të përfitojnë 250 eu kompensim, të komunikojnë me kompanitë që kanë plotësuar formularët sepse është e nevojshme verifikimi ose dërgimi i dokumenteve të nevojshme.