Pas Italisë dhe Serbisë, vaksinat kundër Covid-19 nga kompania Pfizer/BioNTech kanë mbërritur edhe në Greqi.
Nën masa të rrepta sigurie, në vendin fqinj janë dorëzuar dy kuti që përmbajnë 9,750 doza vaksine të cilat u shkarkuan dhe po ruhen në një depo farmaceutike.
Autoritetet thanë se deri në fund të dhjetorit, Greqia pritet të marrë rreth 83,850 vaksina teksa deri në fund të mMarsit përllogariten mbi 1 milion e 200 vaksina.
Injektimet e para antiCovid do të zhvillohen të dielën në pesë spitale të Athinës dhe më pas në Selanik.
Po ashtu, mëngjesin e kësaj të shtune vaksinat janë dorëzuar edhe në Francë, ku përparësi do të kenë shtëpitë e të moshuarve në Paris.
Shpërndarja e vaksinës ka vijuar edhe në Belgjikë, e cila ka marrë tashmë rreth 19,500 doza të vaksinës e po ashtu ne Spanjë, vend i cili pritet të marrë 4.5 milion doza të vaksinës Pfizer/Biontech përgjatë 12 javëve të ardhshme.
Pandemia e koronavirusit ka marrë deri tani më shumë se 1.7 milionë jetë teksa shpresat e ndërprerjes së përhapjes janë pikërisht tek fushata e vaksinimit.