Sport Deschamps: Nuk është formalitet Shqipëria! Ju kujtohet si u eliminuam 1993?

Deschamps: Nuk është formalitet Shqipëria! Ju kujtohet si u eliminuam 1993?

Përballjet e para u fituan njësoj dhe ishte e lehtë. Franca kaloi pa probleme Shqipërinë në Paris, dhe Moldavinë në Çisinau, të dyja me shifrat 4-1, veçse trajneri Didier Deschamps dëshiron të japë një porosi për futbollistët e tij.

Yjet francezë janë grumbulluar në kompleksin e tyre në Klerfonten, pas ndeshjeve të forta me ekipet e klubeve dhe ekziston frika që ata t’i nënvleftësojnë këto duele të fundit në grupin eliminator të Europianit.

“Problemi im më i madh në këto ndeshje është motivimi i lojtarëve, – tha Deschamps, – nuk harroj zhgënjimin e vitit 1993 kur u eliminuam në fund. Ne nuk duhet të mendojmë se jemi të kualifikuar, pasi ende nuk ia kemi dalë, por të bëjmë detyrën, të jemi vigjilentë. Ndeshjet ndaj Moldavisë dhe Shqipërisë nuk do të jenë një formalitet. As nuk duhet të mendojmë për vendin e parë, pasi nuk varet nga ne. Duhet të mendojmë për të marrë maksimumin e pikëve nga këto ndeshje”.

Kampionët e botës mund të shpërqendrohen nga presioni i klubeve mbi ta. Reali kërkon nga Deschamps që të thërrasë Benzemanë, ndërsa trajneri kritikohet që thërret Zhirunë e Çelsit dhe jo Dembelenë e Barcelonës apo Marsialin e Mançester Junajtidit.

Çelsi është i pakënaqur që Franca ka thirrur N’Golo Kantenë, i cili ka qenë i dëmtuar deri kohët e fundit. Deshampi ka edhe shqetësime me lëndimet. Kilian Mbape duket se po e merr veten, dhe nuk besohet se rrezikon.

Ndombele është i dëmtuar, por jo keq. Ai mund të mos jetë gati për Moldavinë, por mund të jetë për Shqipërinë. Matyidi i Juventusit nuk u thirr pas dëmtimit ndaj Milanit. Në ekip nuk është mbrojtësi i Bajernit, Lukas Hernandez, i dëmtuar.

Pavarësisht nga mungesat, Franca do të ketë sërish në përbërje lojtarë të mëdhenj si Varan të Realit, Pavar, Toliso e Koman të Bajernit, Lengle e Grizman të Barcelonës, Mendi të Mançester Sitit, Kante e Zhiru të Çelsit, Lemar të Atletikos së Madridit apo Mbape, Areola e Kimpembe të Paris SG.

Kampionët e botës presin Moldavinë në Paris në 14 nëntor, dhe luajnë në Shqipëri në 17, ndeshjet e fundit eliminatore në Euro 2020.