Kryesore Dëshmitë nga Bejruti: Ballkonet shpërthyen nëpër pallate…

Dëshmitë nga Bejruti: Ballkonet shpërthyen nëpër pallate…

Tragjedi e paprecendentë në kryeqytetin libanez. Numërohen të paktën 70 të vdekur dhe më shumë se 3.700 të plagosur sipas një bilanci të parë nga autoritetet.

Gazetari Sunniva Rose në Bejrut i përshkroi në këtë mënyrë për BBC momentet pas goditjes shpërthyese:

“Kur hyra në Bejrut pasdite, kur nuk ishte errësuar ende, ishte një kaos i vërtetë. Rrugët ishin mbushur të gjitha me xhama. Ishte e vështirë për ambulancat të qarkullonin, sepse kudo kishte tulla, grumbuj me çimento apo mure të shembur.

“Tymi vazhdonte të ngrihej në qiell edhe në mbrëmje. I gjithi qyteti ishte nxirë, saqë ishte e vështirë të ecje nëpër të. Njerëzit kudo ishin të gjakosur. Në rrugë pashë një grua të moshuar, 86 vjeç që po kurohej nga një doktor. Ky kishte dalë me shpejtësi nga shtëpia me çantën e ndihmës së shpejtë.

“Edhe në pallatin ku qëndroj unë është një kaos. Të gjitha xhamat janë thyer. Dëmtimet nëpër shtëpi janë ekstreme. Edhe në një qendër tregtare rreth dy kilometra më tej, e gjithë fasada ishte rrëzuar në tokë. Dëmi nuk është vetëm në port. I gjithë Bejruti është goditur”.

Hezbollah kërkon bashkim kombëtar për tragjedinë

Lëvizja Hezbollah ka kërkuar solidaritet kombëtar pas shpërthimit të sotëm, të cilin e përshkroi si një  “tragjedi mbarëkombëtare”

“Kjo katastrofë tragjike dhe dëmi i paprecedentë që ka krijuar… kërkojnë solidaritet dhe bashkim të të gjithë popullit të Libanit, forcave politike dhe aktorëve kombëtarë” thuhet në një deklaratë të Hezbollah.

Grupi i shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave dhe të të plagosurve, ndërsa vlerësoi punën e emergjencave civile dhe mjekëve.

Doktori: Dhoma e emergjencave, kaotike

Ministri i Shëndetësisë së Libanit tha në një dalje publike se më shumë 70 persona janë konfirmuar të vdekur, ndërsa 3700 të tjerë janë të plagosur.

Shumica e të plagosurve janë dëmtuar nga thyerja e xhamave, tha për BBC drejtuesi i Spitalit Universitar të Bejrutit, Dr. Firass Abiad.

“Urgjenca është paksa kaotike. Të plagosurit erdhën të gjithë njëherësh, shumica prej të cilëve ishin lënduar nga xhamat që ishin thyer nga shpërthimi.

“Më vonë, filluan të vinin disa nga njerëzit që ishin plagosur pranë vendit ku ndodhi shpërthimi. Për momentin kemi 200 pacientë të shtruar dhe 5 prej tyre, fatkeqësisht nuk arritën të mbijetonin”, tha ai.

“Dy spitale janë evakuuar për shkak të dëmtimeve që kishin pësuar ndërtesat-në njërin prej tyre ishin shtruar pacientët me koronavirus” shtoi ai.

Me gati 25oo të plagosur, shumë spitale në Bejrut janë të tejmbushur. Mediat lokale bëjnë thirrje për nevojën për gjak për të plagosurit.

Ministri i Shëndetësisë paralajmëroi se numri i viktimave do të vijë në rritje për shkak të gjendjes së vështirë për shumë nga të plagosurit.

Situata në Liban

Edhe para tragjedisë, Libani kishte vuajtur një sërë krizash.

Monedha vendase u zhvlerësua me shpejtësi duke humbur vlerën në krahasim me dollarin në muajt e fundit, një fenomen që çoi në inflacion.

Përmbi të gjitha, jeta në Liban po bëhej e vështirë për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe mungesës së shërbimeve të tjera bazë.

Irritimi i popullsisë vitin e shkuar çoi në protesta masive kundër elitës së kombit, gjë që u pasua me rënien e qeverisë.

Koronavirusi i bëri gjerat akoma më keq.

Qeveria zbatoi një mbyllje të ashpër, që më pas u lehtësua, por pastaj u ashpërsua sërish. Njësoj si në shumë vende të tjera, kjo ishte një goditje e fortë për ekonominë.