Bota Dështimi i Mayt, keqardhje nga BE. Juncker: Qartësoni qëllimet! Bie edhe paundi

Dështimi i Mayt, keqardhje nga BE. Juncker: Qartësoni qëllimet! Bie edhe paundi

Parlamenti britanik e rrëzoi të martën dhe me shumicë të qartë, marrëveshjen që qeveria britanike, nën drejtimin e kryeministres Theresa May, arriti me Bashkimin Europian.

Deputetët britanikë i thanë një “Jo” të qartë marrëveshjes “May”, të arritur pas më shumë se dy vitesh negociata, që nga vendimi i britanikëve në referendumin e qershorit të 2016-s për t’i thënë lamtumirë Bashkimit Europian.

Kreu i laburistëve, Jeremy Corbyn kërkoi menjëherë pas refuzimit të marrëveshjes mocionin e votëbesimit për kryeministren britanike, Theresa May.

Një zëdhënës i Donald Tusk, kreut të Këshillit të BE-së, shprehu keqardhjen për rezultatin e votimit në Parlamentin britanik, duke e cilësuar marrëveshjen si rrugën më të mirë dhe të vetme për një “Brexit” të rregullt.

“I kërkoj Mbretërisë së Bashkuar të qartësojë qëllimet e saj, sa më shpejt që të jetë e mundur. Koha thuajse ka përfunduar”, tha presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.

Ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz, në emër të ekonomisë më të madhe të BE-së e quajti votimin në Parlamentin britanik një ditë të hidhur për Europën; ndërsa presidenti francez, Emmanuel Macron paralajmëroi për rreziqet e referendumeve dhe tha se fushata e “Brexit”-it ishte e manipuluar nga jashtë, prej atyre që ne i quajmë tani “fake news”.

Edhe kancelari austriak, Sebastian Kurz shprehu keqardhjen në Twitter.

“Megjithatë…nuk do të ketë hapje të negociatave”, theksoi ai.

Tani në fakt ka edhe zëra se Theresa May do të kërkojë sërish lëshime nga Brukseli, me qëllim që ta paraqesë edhe një herë tjetër marrëveshjen në Parlament. Por, shumë zyrtarë europianë janë skeptikë për rihapjen e marrëveshjes. Menjëherë pas votimit në Parlament, paundi britanik pësoi rënie në bursat ndërkombëtare.