Kosova Dështon takimi në SHBA, edhe kryeministri Hoti anulon pjesëmarrjen

Dështon takimi në SHBA, edhe kryeministri Hoti anulon pjesëmarrjen

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, e anuloi pjesëmarrjen në takim në Shtëpinë e Bardhë më palën serbe, pas njoftimit për një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit Hashim Thaçi. Nga pala e Kosovës nuk shkon askush.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, bëri të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin me palën serbe, që ishte planifikuar të mbahet në Shtëpinë e Bardhë këtë të shtunë me 27 qershor. Ky takim ishte organizuar nga i ngarkuari amerikan për dialogun Kosovë-Serbisë, Richard Grenell. Sipas kryeministrit Hoti, arsyeja e anulimit të vizitës së tij në SHBA, është situata e krijuar pas njoftimit për aktakuzë nga Prokuroria e Specializuar me seli në Hagë, ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë, si rezultat i aktakuzës së paraqitur nga Prokuroria e Specializuar, unë duhet të kthehem në vendin tim për t’u marrë me situatën. E njoftova ambasadorin Grenell se nuk mund të marrë pjesë në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë”, shkroi kryeministri Hoti në profilin e tij social. Sot kryeministri Hoti para së të udhëtonte për në SHBA-së, kishte planifikuar të takohej në Bruksel me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi, dhe zyrtarë të tjerë evropianë.

Thaçi ndërpreu udhëtimin

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërpreu udhëtimin e tij për në SHBA-së, menjëherë pasi Prokuroria Speciale njoftoi për paraqitjen e aktakuzave ndaj tij dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Vetë Grenell me 24 qershor, pas anulimit të udhëtimit të Thaçit për në SHBA, tha se ai e respekton vendimin e presidentit. Por theksoi se takimi do të mbahet dhe se në Uashington e mirëpret kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

Vendimin e kryeministrit Hoti që të anulojë vizitën e tij për në SHBA, ku do të takohej me palën serbe në Shtëpinë e Bardhë, e mbështeti kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, partia e të cilit udhëheq me qeverinë. “Për në Uashington u nis delegacioni shtetëror i Kosovës me vullnetin më të mirë. Por u nda përgjysmë sa ishte në aeroplan”, shkruan Mustafa në Facebook.

Pala kosovare duhet të koordinohet

Mustafa pohon se pala kosovare në situatën e krijuar duhet të ulet së bashku dhe të koordinohet mes vete.

“Para se të takohemi me Vuçiçin, nevojitet të takohemi edhe një herë mes veti, të ulemi të gjithë bashkë e të bisedojmë, të gjejmë rrugë dhe zgjidhje të qëndrueshme. Të sigurojmë funksionimin e të gjitha institucioneve shtetërore, sepse pa funksionimin normal te tyre, është iluzore se mund të ecet me marrëveshje”, tha Mustafa.

Të mërkurën, Zyra e Prokurorit të Specializuar, u dërgoi Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat edhe vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Akuzat e Prokurorisë ende nuk janë konfirmuar

Mirëpo kjo aktakuzë duhet të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake, i cili ka afat deri në muajin tetor, ta konfirmojë apo ta hedhë poshtë atë. Kryetari i PDK-se Kadri Veseli, gjatë një konference për medie, i ka quajtur “politike dhe të pabazuara pretendimet e prokurorit të Prokurorisë Speciale“, ndërsa, e ka cilësuar “veprim të paprecedent, pse prokurori ka lëshuar deklaratën para se Gjykata t’i konfirmojë ose rrëzojë akuzat e ngritura që ai pretendon”.

Qeveria e Republikës që udhëhiqet nga kryeministri Avdullah Hoti, konsideron se “askush nuk mund cilësohet fajtor pa vendim përfundimtar të gjykatës”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës fton të gjithë qytetarët të tregojnë qetësi. Qeveria beson se lufta e popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare dhe, si e tillë, do të mbetet si një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.