Bota Detaje nga operacioni për vrasjen e njeriut më të kërkuar në planet

Detaje nga operacioni për vrasjen e njeriut më të kërkuar në planet

Mediat ndërkombëtare kanë nxjerrë detaje nga operacioni i një ditë më parë i ushtrisë amerikane, të mbështetura dhe nga ajri për vrasjen e kreut të Shtetit Islamik, al Baghdadi.

Sipas të dhënave, disa të konfirmuara dhe nga ushtria, kreu i ashtuquajturit “Kalifati islamik” hodhi veten në erë sapo pikasi se ishte rrethuar nga ushtarët. Bashkë me të humbën jetën dhe dy gratë e tij dhe raportohet se fëmijët kanë mbetur të paprekur.

Njeriu më i kërkuar në planet në 5 vitet e fundit aktivizoi një xhup me eksploziv, në shtëpinë ku fshihej në fshatin Brisha të provincës Idlib, i cili shkaktoi një shpërthim të fuqishëm. Mësohet se al Baghdadi kishte mbërritur në vendin ku ndodhi operacioni i ushtrisë amerikane vetëm 48 orë më parë, duke nënkuptuar kështu se prej kohësh ishte në survejim. Në aksionin për vrasjen e tij kontribuuan dhe shërbimet inteligjente turke dhe ato irakiane.

Mbështetësit e al Baghdadit sapo morën vesh lajmin për vdekjen e liderit të tyre premtuan se lufta e ISIS nuk përfundon dhe se xhihadi do të vijojë më tej. Lajmi për vdekjen e kreut të ISIS ende nuk është konfirmuar zyrtarisht ndërkohë që po kryen teste biometrike dhe të ADN për të përmbyllur hetimet.