Aktualitet Detaje nga vrasja në ish-Bllok, Ervin Mata tregon përplasjen me armë

Detaje nga vrasja në ish-Bllok, Ervin Mata tregon përplasjen me armë

Pas rreth 5 muajsh në kërkim Ervin Mata u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës për të sqaruar pozicionin e tij lidhur me ngjarjen e 4 tetorit në zonën e ish-bllokut.

Mata ka deklaruar në polici se ai nuk ka qëlluar dhe u largua nga lokali sapo u dëgjuan të shtënat me armë zjarri. Mata u dorëzua tek blutë e kryeqytetit në prani të avokatit të tij.

Gjatë marrjes në pyetje, 31-vjeçari tha se nuk kishte qëlluar dhe as nuk kishte parë se kush qëlloi në drejtim të viktimës Fabian Gaxha.

Dy persona të tjerë, Ervis Martinaj dhe Eljo Hato, mbetën të plagosur në ngjarje. Ervis Martinaj edhe pse i plagosur u arrestua në spital nga policia për armëmbajtje pa leje armë e cila u fsheh fillimisht nga pronari i lokalit.

Eljo Hato u lirua pas garancisë pasurore prej 1 milionë lekësh dhe vijon të hetohet në gjendje të lirë. Nga hetimet e deritanishme Fabian Gaxha dyshohet se u qëllua për vdekje nga ish-komandoja Mervjol Bilo, i cili vijon të jetë ende në kërkim.

Po ashtu në kërkim është edhe biznesmeni Eldi Dizdari, që dyshohet nga prokuroria të jetë i përfshirë në këtë ngjarje.

Sipas Prokurorisë shkak i përplasjes dyshohet të ketë qenë prishja e pazareve të drogës, pasi Eldi Dizdari është kushëri i Arbër Çekajt i cili ishte pronari i kontejnerit me 613 kg kokainë që u bllokua në Durrës në fundin e shkurtit të kaluar.

Më herët në polici u vetëdorëzuan edhe Ajaks Boshnjaku dhe Fabio Allushi.

Por ata u lanë të lirë më pas nga Gjykata e Tiranës pasi nuk kishin lidhje me konfliktin.