Aktualitet Detaje të reja për ngjarjen tronditëse: Rrëfimet e familjarëve të familjes Josifi

Detaje të reja për ngjarjen tronditëse: Rrëfimet e familjarëve të familjes Josifi

Hetimet për tragjedinë e rëndë në familjen Josifi vazhdojnë ende nga organet kompetente, ndërkohë që familjarët e viktimave kanë dhënë disa deklarata publike për mediat. Vëllai i Zhaneta Josifit, e cila humbi jetën së bashku me të bijën, Anisën, sepse të dyja refuzuan të ushqeheshin duke qenë se besonin te ringjallja (referuar hetimeve paraprake) tregoi për televizionin News24 disa detaje për familjen në fjalë.

Selman Fejzo rrëfeu se prej dy vitesh nuk e kishte takuar mbesën, Anisën, dhe nuk ishte në dijeni nëse ndiqnin një sekt të caktuar fetar dhe cilin konkretisht. Ai tregoi se Anisa nuk dilte kur shkonte në shtëpi. “Na thoshin që është në shtëpi, po lexon, po fle. Nuk na shkonte kurrë mendje që do të ndodhte kjo gjë”.

Ndër të tjera ai theksoi se policia duhet të kishte vepruar më mirë, pasi sipas tij, i kishte komunikuar oficerëve se nuk kishte kontakt me mbesën, Anisën, ndërkohë që ata i thanë se “motra dhe vajzat janë mirë”.

Mendohet që Anisa Josifi ndërroi jetë 15 muaj më parë pasi refuzoi të ushqehej. Sipas të dhënave paraprake, mendohet se nëna dhe e motra ia lyenin trupin me solucion me bazë vaji dhe uthulle për ta ruajtur nga dekompozimi. “Në shtëpi nuk kemi ndjerë kurrë erë të rëndë”, tha i vëllai i Zhanetës.

Ndërkohë Fejzo shtoi se bashkëshorti i Zhanetës u vetëvra pas gjendjes së rënduar psikologjike të shkaktuar nga operacionet në njërin krah. Sipas Fejzos, kunati pësoi trompozë dhe nuk e përballoi dot emocionalisht faktin që u desh që krahu të amputohej. Ai shtoi se familjes së të motrës “nuk i mungonte leku”.

Një tjetër familjar, kunati i Zhaneta Josifit, në një intervistë për Top Channel, tregoi se Blerta, vajza e vetme e mbijetuar, gjatë bisedave në familje, dukej sikur donte të tregonte diçka. “Zhaneta ulej në të njëjtin divan me Blertën. Kishte frikë se mos e tradhtonte, sepse Blerta matej të thoshte diçka”, u shpreh Sotir Kristollari. Ashtu si daja i vajzave, edhe ai kishte kohë që nuk komunikonte me Anisën, pavarësisht insistimit të tyre për të takuar vajzën e ndjerë.

Kristollari u shpreh se familja Josifi kishte kontakt me një sekt fetar nga Hollanda që vepronte në Përmet.