Aktualitet Detajet e dosjes së mashtrueses Milena Deraj, 340 mijë eurot i kërkoi...

Detajet e dosjes së mashtrueses Milena Deraj, 340 mijë eurot i kërkoi ish-prokurori Arjan Ndoji

Milena Deraj, ish-punonjësja e Bankës së Shqipërisë që akuzohet se mashtroi 3 shtetas, duke u marrë 340 mijë euro, për ndihmë në një proces gjyqësor për vrasje, ishte mike me ish-prokurorin Arjan Ndoji, i mbijetuar i një atentati me armë disa vite më parë.

Sipas asaj që thuhet në dosjen hetimore, një pjesë të së cilës A2 CNN ka lexuar, ishte pikërisht ish-prokurori Ndoji, i cili sot punon si avokat, që i ka kërkuar këtë shumë për të përfaqësuar në gjyq Hasan Ferracakun, Abedin Ferracakun dhe Shyqyri Ferracakun, të cilët akuzohen për vrasjen e 3 personave në qershor të vitit 2021, për shezlongët në plazhin e Velipojës.

Në dosje thuhet se një shoqe e saj, duke ditur se ajo kishte miqësi me Ndojin, e ka prezantuar me një të afërme të familjes Ferracaku, e më pas edhe me Abedin Ferracakun, i cili është në arrati.

“Arjani i kishte thënë se e ka studiuar dosjen dhe ishte e pamundur që të akuzuarit të mos dënoheshin. Por me këto prova do të kërkonte gjykim të shkurtuar, me qëllim për t’i lehtësuar dënimin dhe shmangur dënimin me burgim të përjetshëm, gjithmonë nëse gjykata e pranonte. Për të mbrojtur këta shtetas, Hasan Ferracaku, Abedin Ferracaku, Shyqyri Ferracaku si nipin e tyre, i duheshin 340 000. Ajo i ka thënë Arjanit që këtë do t’ia thoshte Abedin Ferrecakut e më pas do t’i kthente përgjigje”, thuhet në dosjen hetimore.

Për çfarë ngjarje bëhet fjalë?

Tragjedia në plazhin e Velipojës ka ndodhur më 26 qershor 2021, ku nga një përplasje e ashpër me armë zjarri kanë mbetur të vrarë Kujtim Ferracaku 59 vjeç, Xhovani Gocaj 25 vjeç, Edmond Gocaj 38 vjeç dhe Myzerim Zeneli 20 vjeç.

Shkak i përleshjes së përgjakshme u bë sherri mes dy familjeve Ferracaku dhe Gocaj për shfrytëzimin e shezlongëve. Në dëshminë e dhënë atëherë, babai i vëllezërve Gocaj tha se prisnin që hapësira ranore të ndahej nga shteti, ashtu sikundër funksiononte çdo vit, por një debat i çastit i kushtoi atij jetën e dy djemve. Ndërkohë i riu Myzerim Zeneli kishte vetëm një ditë që kishte nisur punën si kamarier në lokalin e vëllezërve Gocaj. I plagosur mbeti edhe 17-vjeçari Elmilind Dyli, i cili ishte nip i Kujtim Ferracakut.

Kush është Arjan Ndoji?

Arjan Ndoji i shpëtoi një atentati me armë teksa ishte në lëvizje me makinën e tij në vitin 2019. Në ngjarjen e ndodhur pranë mbikalimit të Shkozetit, në aksin Durrës-Tiranë, u plagos prokurori, miku i tij Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, dhe shoferi Andi Maloku, i cili ndërroi jetë pas disa ditësh në spital.

Për ngjarjen, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për Bashkim Haxhinë, Genti Ndrejakun, Marsel Deçkën, Endrit Sinanin dhe Julian Pjetrin. Për ngjarjen, SPAK identifikoi 9 persona të tjerë të përfshirë. Sipas SPAK, të dyshuarit në role të ndryshme, si porositës, ekzekutorë, apo ndihmës, kanë bashkëpunuar para dhe pas ngjarjes së 1 nëntorit 2019 tek mbikalimi i Shkozetit./ A2 CNN