Aktualitet Detajet e operacionit: 11 të arrestuar për fajde dhe gjobëvënie në Shkodër

Detajet e operacionit: 11 të arrestuar për fajde dhe gjobëvënie në Shkodër

11 persona janë arrestuar nën akuzat për gjobëvënie dhe fajde mëngjesin e së enjtes në Shkodër.

Në mbështetje të Policisë së Shkodrës, në kryeqendrën e Veriut kanë mbërritur edhe Forcat Speciale nga Tirana.

Forcat blu kanë kryer kontrolle në banesa, hotele e biznese ku dyshohej se kryheshin vepra penale.

Njoftimi zyrtar i Prokurorisë së Shkodrës:

Me datën 25.01.2019 Prokuroria e rrethit gjyqësor Shkodër ka regjistruar procedimin penal me numër 109, mbi bazën e akteve të referuara nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër. Nga veprimet e kryera me mjete të hetimit proaktiv, të autorizuara nga Prokuroria dhe legjitimuar nga Gjykata e rrethit gjyqësor Shkodër rezultoi e provuar përfshirja e një numri të madh shtetasish në veprimtarinë e organizuar te dhënies hua, jashtë sistemit bankar, së shumave të konsiderueshme të të ardhurave monetare.

Dhënia hua e këtyre shumave është për interesa shumë të larta që variojnë nga 3%-20% në jave nga ana e personave të implikuar.

Gjatë hetimit të kryer rezultoi përvetësimi nga ana e të dyshuarve të disa pasurive të luajtshme, automjete të regjistruara në emër të tyre dhe pasurive të paluajtshme (toka, apartamente, dyqane), prona për të cilat kishte kaluar pronësia në emër të të dyshuarve.

Si rrjedhoje e veprimeve të përgjimeve telefonike, ambientale, vëzhgimit, të legjitimuar nga Gjykata, administrimit të akteve shkresore, këqyrjeve etj. rezultoi përfshirja në veprimtari kriminale e 22 personave emrat e të cilëve u regjistruan si autorë të veprave penale të “Ushtrim pa licencë i veprimtarisë bankare”, me pasoja të renda, në bashkëpunim, “Pastrim i produkteve te veprës penale”, “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallzim të krimit”, të parashikuar nga nenet 170/c/2, 25, 287, 248 dhe 300/1 te Kodit Penal.

Me miratim të gjykatës së rrethit gjyqësor Shkodër janë caktuar dhe ekzekutuar masat e sigurimit personal “arrest në burg” për 11 shtetas, që janë B. A; I. M, M. B; L.S; N. A; A. B; A. D (me detyrën ish kancelar ne Gjykatën e Shkodrës); V. N; E. F,; E. Q; P. V. Janë shpallur në kërkim shtetasit me inicialet E.M; J.A.; I.S dhe E.L.

Janë ekzekutuar masat e sigurimit personal ”pezullim i ushtrimit te detyrës” për noteren pranë Dhomës së Noterisë Shkodër, V. H dhe SPZ pranë Komisariatit të Policisë Shkodër E. L. Është ushtruar kontroll në një numër të madh banesash, kontroll i kryer me vendim të gjykatës. Gjate kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një numër i madh automjetesh, vlera të konsiderueshme monetare (rreth 500.000 euro), aparate celulare etj. Veprimet e kontrollit, sekuestrimit dhe veprimeve të para hetimore vijojnë.