Aktualitet Detajet e reja të vrasjes mafioze të efektivit të FNSH-së

Detajet e reja të vrasjes mafioze të efektivit të FNSH-së

Mbi 26-vjeçarin Xhulio Prela u qëlluan 3 plumba pistolete, njëri prej të cilëve e ka prekur në zemër dhe ka qenë vdekjeprurës. Prela ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij në autostradën Milot-Lezhë, pranë fshatit Gujash. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se viktima është qëlluar nga afër dhe dyshimet janë se ekzekutori është ndihmuar nga një person tjetër për t’u larguar.

Ngjarja u raportua fillimisht nga banorët e zonës si një aksident. Rreth orës 02:20 policia mori një telefonatë për një makinë që kishte dalë nga rruga, por kur mbërriti në vendngjarje, konstatoi trupin e pajetë të 26-vjeçarit. Familjarët thanë se efektivi i policisë  ishte duke u kthyer nga Aeroporti i Rinasit, pasi kishte çuar atje disa të afërm.

Dinamika e atentatit

Dinamika e atentatit ende nuk është e qartë.

Atentatorët dyshohet se kishin ndjekur çdo lëvizje të tij, ndërsa ende nuk dihet se çfarë ka bërë të riun të ndalojë mjetin e tij tip Volsvagen. Hetuesit mendojnë se Prelësi është bërë shenjë të ndalojë çka hedh dyshimet se ai ka pasur njohje me njërin prej atentatorëve, ndërsa plumbat e pistoletës i ka marrë nga një distancë e afërt.

Ndonëse ka tentuar të largohet ai ka lëvizur dhe disa qindra metra larg, por më pas ka humbur kontrollin duke përfunduar i vdekur në një parcelë pranë vendit ku u qëllua.

Grupi hetimor po verifikon dhjetëra kamera sigurie përgjatë itinerarit që ka përshkuar 26-vjeçari, ndërsa dyshimet e para janë se vrasja mund të ketë lidhje me detyrën si efektiv special.

Në Lezhë kanë zbarkuar forcat RENEA dhe 15 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, janë shoqëruar në komisariat. Pika të shumta kontrolli janë ngritur në të gjithë zonën.