Aktualitet Detajet e vetëdorëzimit të Kelmend Balilit

Detajet e vetëdorëzimit të Kelmend Balilit

Kelmend Balili është vetëdorëzuar këtë të martë në polici.

Balili mësohet se ndodhet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Vetëdorëzimi i tij vjen vetëm dy javë përpara përfundimit të afateve të hetimit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

I ashtuquajturi “Eskobari i Ballkanit” akuzohet nga prokuroria për trafik ndërkombëtar droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Balili ishte në kërkim nga autoritetet shqiptare për më shumë se dy vite dhe gjatë kësaj kohe nuk ishte bërë e mundur që të prangosej, edhe pse ka pasur disa aksione policore. Prokuroria shqiptare për Balilin ka të faktuar të paktën një episod trafiku kanabisi nga Shqipëria drejt Greqisë.

Në një gomone të nisur nga Saranda u transportuan 700 kilogramë hashash.

Grupi i Kelmend Balilit po hetohet për 6 raste të trafikut të drogës në sasi të mëdha drejt Europës. Bazuar në hetime, Prokuroria greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane ka arritur të vërtetojë se grupi koordinohej nga Dhimitër Poti i arrestuar në Belgjikë dy vite më parë.

Ngarkesa e fundit prej 100 kilogramë kanabis është kapur në Maj të vitit 2016 në depot e firmës së transportit të Potit në Belgjikë.