Kryesore DETAJET/ Grupi terrorist planifikoi sulm ndaj Kryegjyshatës Bektashiane në Tiranë

DETAJET/ Grupi terrorist planifikoi sulm ndaj Kryegjyshatës Bektashiane në Tiranë

18 muaj pas parandalimit të një sulmi gjatë kremtimit të festës së sulltan nevruzit në Tiranë, antiterrori shqiptar ka zbuluar edhe celulën terroriste përgjegjëse.

Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Ardi Veliu tregoi emrat dhe rolet e terroristëve iranianë që kishin organizuar sulmin marsin e vitit të kaluar pranë Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë.

Celula terroriste e Forcave QUDS, kapur në Shqipëri

Në shënjestër kanë qenë anëtarë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen (MEK) të strehuar në Shqipëri prej vitit 2014.

Ditën e ngjarjes antiterrori shqiptar ndaloi dy iranianë të cilët u prezantuan si gazetarë, por më pas u liruan dhe larguan nga territori shqiptar.

Drejtuesi i celulës terroriste rezulton operativi i Forcave QUDS, i njohur si PEYMAN ndërsa Alireza NAGHASHZADEH dhe MALEK ZADEH janë operativë. Nga hetimet, ka rezultuar se drejtuesi i celulës punonte gjatë dy viteve të fundit me bosin e mafies turke, Abdulselam Turgut, një figurë e njohur e krimit të organizuar i cili arriti t’i shpëtojë drejtësisë shqiptare disa vjet më parë.

“TURGUT, i njohur si një bos mafioz turk dhe kreu i një rrjeti të fuqishëm ndërkombëtar të trafikut të drogës është burgosur së fundmi në Azerbajxhan dhe në Turqi me akuza për trafik droge. TURGUT ka gjithashtu lidhje të vjetra me krimin e organizuar në Shqipëri. TURGUT është liruar nga një burg në Turqi në fund të vitit 2018. Në vitin 2011, TURGUT është burgosur gjithashtu në Shqipëri me akuza në lidhje me trafikimin e dyshuar të rreth 1 ton heroinë, por u arratis nga vendi duke përdorur një pasaportë false, pasi gjykata ndërroi masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie””, tha Ardi Veliu.

Celula terroriste i përket njësisë së operacioneve të jashtme të Forcave QUDS, një njësi operacionale e konsideruar si klandestine dhe sekrete, e cila është përgjegjëse për planifikimin dhe zbatimin e aktivitetit terrorist jashtë Iranit.

Ne dhjetor të viti të kaluar Shqipëria dëboi ambasadorin iranian në Tiranë dhe një diplomat tjetër të cilët dyshohet të jenë përfshirë në aktivitete që cenonin sigurinë në vend. Në atë kohë u tha se vendimi u mor në konsultim me vendet aleate, për shkak të aktivitetit të tyre në Shqipëri në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik.