Aktualitet Detajet/ Kudret Saliaj u vëzhgua 30 minuta para vrasjes

Detajet/ Kudret Saliaj u vëzhgua 30 minuta para vrasjes

Mexhit Picari i cili ekzekutoi ish-dhëndrin dhe Dhurata Saliaj e bija e cila akuzohet si bashkëpunëtore në vrasje, kanë vëzhguar viktimën për rreth 30 minuta për gjitha lëvizjet që ai kryente.

Lëvizjet e tyre janë pikasur nga kamerat e sigurisë në afërsi të vendit të ngjarjes. Babë e bijë kanë dhënë dëshmi kontradiktore para hetuesve, duke mos qenë koherent në deklarime. Picari ka deklaruar që në lokal ka qenë i ulur në një prej tavolinave i vetëm, përkundër nga deklarimet e Dhuratës, e cila ka deklaruar se ka qenë me të atin në tavolinë.

Mexhit Picari është shprehur se kur po qëndronte në tavolinë është futur në lokal Kudreti, i cili sipas Picarit, është afruar dhe e ka sharë. Picari më tej është shprehur se duke ditur sa i dhunshëm ishte Kudreti, ka nxjerr armën, të cilën e kishte pa karikator. Ai ka deklaruar se e ka mbushur, ka vendosur karikatorin dhe më pas ka qëlluar në drejtim të Saliajt.

Ky i fundit ka qenë në ambientet e lokalit në shoqërinë e avokatit, që mbeti i plagosur dhe të psikologes. Kësaj të fundit, nga tronditja fillimisht i ka rënë të fikët dhe është përmendur pak momente më vonë. Avokati Adriatik Cama është në spital, jashtë rrezikut për jetën, por plumbin që e ka marrë në afërsi të gjoksit akoma nuk i është hequr. Pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrje pas dy javësh.

Seanca për masën e sigurisë pritet të mbahet të hënën në Gjykatën Penale të Tiranës, ndërsa Prokuroria e Tiranës pritet të kërkoj për të dy, babë e bijë, masën e sigurimit personal “arrest me burg”. Burimet bëjnë me dije se akuza për Dhuratën pritet të jetë ajo e bashkëpunimit në vrasje, pasi ka pamje filmike dhe prova që janë administruar nga akuza për vëzhgimin e viktimës nga dy të arrestuarit.

Burimi: Klan News