Bota Detajet tronditëse: Atentatori i El Pasos kërkonte të vriste meksikanë

Detajet tronditëse: Atentatori i El Pasos kërkonte të vriste meksikanë

Që pas atentatit në El Paso, ku humbën jetën 22 vetë të shtunën e kaluar, hetuesit kishin dyshuar për një sfond racist të vrasjes në masë. Tani u bë i ditur një raport i policisë që e konfirmon këtë dyshim. Aty thuhet, se 21-vjeçari i arrestuar ka thënë, se kishte vënë në shënjestër meksikanët në qendrën tregtare në El Paso. Ai vrau tetë meksikanë, shumë prej viktimave të tjera ishin me origjinë amerikanolatine. Gjatë arrestimit të tij, autori i vrasjeve hoqi dorë nga e drejta për të heshtur dhe u ka përshkruar hetuesve rrjedhën e atentatit.

Lidhje me skenën ekstremiste të djathtë

Kështu ai ka thënë, se ka lëvizur 9 orë me makinë në zonën ku banonte, Allen, për të identifikuar, ku kishte më shumë latinë. Me automatikun e tij dhe municionin me vete ai hyri pastaj në qendrën tregtare dhe filloi të qëllojë. Në një manifest ekstremist të djathtë të publikuar më parë në internet, ai kishte paralajmëruar për “pushtimin hispanik” nga Amerika Latine.

Ndërkohë policia ka arritur të pengojë një atentat të ri në shtetin federal të Nevadës, duke arrestuar një person nga skena ekstremiste e djathtë. 23 vjeçari nga Las Vegasi kishte planifikuar një atentat në një sinagogë. Prokuroria bëri të ditur, se ai akuzohet për konstruktimin e një bombe. Autori i vrasjeve ishte në kontakt edhe me një “organizatë ekstremiste” që kërkon të arrijë sundimin e racës së bardhë në SHBA. Hetuesit gjetën edhe një bllok shënimesh me plane për një atentat në Las Vegas.