Extra Deti nxjerr në breg thesarin misterioz, fshatarët bëhen të pasur

Deti nxjerr në breg thesarin misterioz, fshatarët bëhen të pasur

Rreth 2 mijë banorë të një fshati të vogël në Venezuelë, kanë lënë pas peshkimin dhe që prej fundit të shtatorit janë vënë në kërkim të sendeve me vlerë që janë nxjerr në breg nga deti.

Deri tani, banorët kanë gjetur me mijëra copëza bizhuterish në rërë, mes tyre edhe një unazë ari, ndërsa peshkatari Yolman Lares ka gjetur një medaljon prej ari me një imazh të Virgjëreshës Mari.

Sipas “The New York Times”, disa banorë kanë shitur sendet me vlerë në shumë deri në 1,5 mijë dollarë.

Deri tani, askush nuk e di se si kanë përfunduar këto sende me vlerë në një zonë të ngushtë bregdetare.

Fshati Guaca, dikur, ishte në qendër të industrisë së përpunimit të peshkut në Venezuelë, por tani është në varfëri pas mbylljes së pjesës më të madhe të fabrikave.

Gadishulli Paria, ku ndodhet edhe plazhi, është vendi i parë në Amerikë ku mbërriti Kristofor Kolombi në vitin 1498.