Kryesore Dhuna, FSHF: Bojkotojmë kampionatin nëse policia nuk rikthehet në stadiume

Dhuna, FSHF: Bojkotojmë kampionatin nëse policia nuk rikthehet në stadiume

Federata Shqiptare e Futbollit ka paralajmëruar se do të bojkotojë kampionatin nëse Policia e Shtetit nuk garanton sigurinë publike në stadiume.

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku ka kërkuar që Policia e Shtetit të rikthehet në stadiume për të garantuar sigurinë gjatë ndeshjeve.

Në një konferencë për shtyp një ditë pas dhunimit të arbitrit Eldorain Hamiti në ndeshjen Kamza–Laçi, Shulku akuzoi policinë se po ndërhyn në mënyrë selektive ndaj klubeve të caktuara.

“A është i interesuar shteti shqiptar dhe Policia e Shtetit që futbolli më i dashur i shqiptarëve të vazhdojë? Sepse deri më tani është vështirë të vazhdohet. Jemi në mes të kampionatit dhe ju e dini shumë mirë se ç’mund të ndodhë në fund kur ekipet do të rrezikojnë rënien nga kategoria.

Pa Policinë e Shtetit e shikojmë të pamundur zhvillimin e kampionatit. Nëse kërkesat tona bien në vesh të shurdhër, do shikohet seriozisht ndërprerja e kampionatit.

Do të shikohet në mënyrë shumë serioze në qoftë se policia do të ketë reagim. Do të kërkojmë të bëjmë takime me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Nëse kjo punë vazhdon kështu, atëherë do ta shikojmë shumë seriozisht vazhdimin e kampionatit”, u shpreh Sekretari i FSHF.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kreu i Shoqatës së Arbitrave, Tahir Kastrati.

“Është moment i vështirë i futbollit shqiptar, ngjarje shumë e rëndë që trondit çdo individ, çdo shqiptar. Janë pamje të rëndë, edhe në fushë më të rëndë të jetës nuk ndodhin këto incidenteve.

Jeta e gjyqtarëve është në rrezik, para jetës së gjyqtarëve nuk vënë asgjë. Ne si shoqatë kemi bërë deklarimet tona, ku kërkojmë me forcë që të bëjmë çmos për të ndaluar dhunën ndaj arbitrave. Kjo dhunë sa vjen e përsëritur dhe rritet, vjen si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të policisë”.

Në ndeshjen e djeshme mes Kamzës dhe Laçit, arbitri Eldorain Hamiti u dhunua nga drejtuesit e klubit të Kamzës dhe tifozët pasi akordoi një penallti në minutat shtesë.

Për këtë ngjarje, policia arrestoi Presidentin e klubit të Kamzës, drejtorin sportiv dhe shefin e klubit, si dhe një tifoz. Ndërsa 4 persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Sipas ligjit “Për Sportin”, sigurinë në stadiume e kanë marrë përsipër policitë private, ndërsa Policia e Shtetit nuk hyn në këto ambiente vetëm në rastet kur kërkohet ndihma e tyre.