Kryesore Di Maio pret 60 infermierët: Shqipëria, vendi që na ka ofruar ndihmën...

Di Maio pret 60 infermierët: Shqipëria, vendi që na ka ofruar ndihmën më të madhe

Ministri i Jashtëm Italian, Luigi Di Maio ishte personalisht në aeroportin e Romës për të pritur grupin prej 60 infermierësh nga Shqipëria që do të japin kontribut në spitalet e vendit fqinj për kurimin e të prekurve me COVID-19.

Ai e cilësoi Shqipërinë një popull me zemër të madhe dhe veçoi se në raport me numrin e popullsisë, është vendi që ka ofruar ndihmën më të madhe për Italinë. Ministri italian tha se, pas shumë javësh në gjendje kritike, Italia po jep sinjale pozitive sa i takon betejës me koronavirus.

“Kjo falë solidaritetit të mbarë popujve në botë, por sidomos nga Shqipëria, një popull me zemër të madhe. Në proporcion me popullsinë, numri i mjekëve dhe infermierëve nga Shqipëria është më i larti në ndihmat që Italia ka marrë. Nuk do t’ia kishim dalë pa ndihmën nga jashtë, ndaj ju falënderoj dhe shpresoj që ta fitojmë betejën me koronavirus”, deklaroi Di Maio.

Ministri i Jashtëm italian bëri të ditur se infermierët shqiptarë do të vendosen në spitalet e zonës së Marche-s, ku përfshihen qytetet e Ankonës dhe Peskarës.