Shëndet Diabeti, “vrasësi i heshtur” dhe vuajtjet e të prekurve

Diabeti, “vrasësi i heshtur” dhe vuajtjet e të prekurve

“Çfarë të të them për sëmundjen që më mori sytë.” Kjo ishte fjalia e parë që më tha Bruna Brushulli kur e pyeta se si po e trajtonte sëmundjen e diabetit.
Duke shtanguar duart, ajo më tregon se që prej pesë vitesh është diagnostikuar me diabet të tipit 2 dhe që prej asaj kohë ndjehet e pa fuqishme për të kryer edhe punët e vogla të shtëpisë.

Sëmundja e diabetit, është një çrregullim metabolik, që rrit nivelin e sheqerit në gjak dhe shoqërohet me çrregullime të metabolizmit të karbohidrateve, përkatësisht sheqernave, yndyrave dhe proteinave. Diabetit janë dy lloje, tip 1 që ka nevojë për trajtim gjithë jetën me insulinë dhe përveç kësaj duhet ndjekur një dietë e rregullt, me sasi të caktuar ushqimi në orare të caktuara në varësi të insulinës, duke kryer dhe aktivitet fizik dhe diabeti i tipit dy, ku përveç medikamenteve një rol shumë të rëndësishëm ka edhe dieta ushqimore.

“Kot nuk thonë se është sëmundje pasanikësh. Doktorët më kanë thënë që të ha ushqime të zgjedhura, por me çfarë ti blej? Më çfarë ta ndjek dietën me aq pak lekë sa kam?
Është vështirë për ne, është shumë vështirë,” thotë Bruna duke ulur kokën. Teksa vazhdoj bisedën më të, herë herë më kërkon me duar, pasi sytë e saj nuk shohin qartë.
“Ja diabeti më ka lënë me një sy. Nuk jam e aftë as për punë e ndonjëherë as për vete. Në shtëpi punon vetëm djali, i cili ngrihet në mëngjes herët e vjen vonë në darkë, vetëm për të mbuluar shpenzimet e shtëpisë,” shprehet ajo.

Sipas të dhënave të fundit, kostot e një personi të sëmurë me diabet arrijnë deri në 320 mijë lekë të vjetra në një muaj, ndërsa kempi që jep shteti është 100 mijë lekë të vjetra. Ndërsa për sa i përket ilaçeve të rimbursueshme një pjesë e tyre vetëm këtë vit u shtuan në listë.
Dhe kategoritë që përfitojnë më shume nga rimbursimi i barnave janë pensionistët, invalidët e luftës, si dhe kategoritë e personave që vuajnë nga sëmundje të rënda kronike si insuficience renale, transplanto organesh dhe sëmundjet e gjakut, zemrës, tensionit dhe sëmundjet respiratore.
“Sa herë marr ilaçet mendohem mirë a do më dalin lekët për shpenzimet e tjera. Unë dhe fëmijët e mi jetojmë me shumë pak të ardhura. Çfarë mund të zgjidhim me 250 mijë lekë në muaj. Ato nuk dalin as për ushqime, edhe sëmundja na duhej,” shprehet Bruna duke mbushur sytë me lot.
Pr. Dr. Florian Toti tha për Gazetën “Si” se në Shqipëri kemi rreth 75.000 persona me diabet dhe nga këta rreth 25.000 trajtohen me insulinë. Një ndër organizatat më pranë këtyre personave është edhe Shoqata e Diabetikëve në Shqipëri, që sipas endrikologut Toti i cili është edhe president i saj, punon çdo ditë në shërbim të të sëmurëve duke ofruar konsulta falas.
“Shoqata është e ndërtuar vullnetarisht nga mjekët dhe nuk kemi asnjë lloj përkrahje dhe ndihme nga ana e qeverisë dhe e shtetit. Çdo gjë është e ndërtuar nga fondet që vetë shoqata krijon nëpërmjet bashkëpunimeve të ndryshme dhe kuotizacioneve vjetore që paguajnë anëtarët e shoqatës,” shprehet Toti.

Në ditën e diabetikëve në sheshin “Skënderbe” u organizuan takime ku pjesëmarrëse ishte edhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila u shpreh se do të jepeshin falas fijet e aparatit të matjes së diabetit për studentët.
Sipas mjekut Toti, ka kohë që shoqata ka filluar me disa projekte që përfshin konsultime të ndryshme, shpërndarjen e aparateve, në mënyrë që të kuptohet se sa i efektshëm është vetë kontrolli në një diabet të ekuilibruar.
“Nëse do të kishim një ndihmë më të madhe sigurisht do të kishim edhe më tepër mundësi për të vepruar. Shoqata ka mbi 4500 anëtarë ku, 3000 anëtarë janë në Tiranë dhe të tjerët nga rrethet e ndryshme dhe personel mjekësorë janë rreth 150 veta. Përpos personave të sëmurë me diabet në ofrojmë vazhdimisht trajnime të akredituara edhe për personelin mjekësorë dhe pjesëmarrja në to është falas. Shoqata ka mbi 10 programe edukimi për personelin duke filluar nga infermierët, farmacistët, mjekun e familjes dhe deri tek mjekët specialistë,” shtoi Toti.

Por Bruna shprehet se nuk e di se çfarë do të bëjë me sëmundjen e saj, sepse përveç informacionit të paktë, ajo shpesh herë nuk kurohet në mënyrë të duhur.
“Ka pasur shumë raste kur nuk kam shkuar të marr ilaçet në qendrën shëndetësore, se nuk mundem të shkoj, nuk kam fuqi. Djali nuk ka qenë në shtëpi, pasi vjen vonë nga puna,” thotë ajo.
Sipas profesorit Totit mendohet se shumë shpejtë do të arrihet që fijet e aparatit matës do të merren edhe nga personat me të ardhura të pakta ekonomike dhe pensionistët, ndërkohë që ndër fjalët e tij të para është edhe ftesa e pjesëmarrjes në shoqatë për çdo person me diabet që nuk është anëtarësuar ende.

Një sërë sëmundjesh të tjera vijnë si rrjellojë e diabet, të cilat nëse nuk kurohen në kohë mund të rrezikojnë edhe jetën të sëmurëve. Të dhënat nga Organizata Botërore të Shëndetësisë tregojnë se diabeti shkakton çdo vit 5% të vdekjeve globale dhe mendohet se vdekjet nga kjo sëmundje do të vazhdojnë të rriten. Në botë sot numërohen mbi 420 milionë diabetikë dhe në vitin 2030 mendohet se mund të jenë afërsisht 500 milionë diabetikë.
“Shoqata është përpjekur që të lehtësojë procedurat për marrjen e medikamenteve të ndryshme. Nuk duhet harruar që të sëmurët me diabet duhet të vinin nga çdo anë e Shqipërisë në Tiranë për të marrë medikamentet, ndërkohë që tani mund t’i marrim në spitalet rajonale, gjithashtu po përpiqemi të lehtësojmë procedurat e invaliditetit të cilat nuk kanë nevojë më të paraqiten çdo vit për të marrë ekzaminime, sepse situata e një personi me diabet fatkeqësisht vjen gjithnjë duke u përkeqësuar,” shprehet Toti.
Ndër të tjera ai thotë se mungojnë edhe ekzaminime të tjera, kështu që ka ende shumë punë për të bërë.
“Shpresoj shumë që të lehtësohet sëmundja një ditë, edhe pse është shumë vështirë. Unë e dua jetën dhe mendoj gjithmonë që një ditë të eci në rrugë pa pasur frikën se do të bie,” shprehet Bruna.