Aktualitet Digjet makina e biznesmenit në Elbasan. Elis Bahushi, objekt i OFL-së

Digjet makina e biznesmenit në Elbasan. Elis Bahushi, objekt i OFL-së

Një automjet u përfshi nga flakët mëngjesin e sotëm në qytetin e Elbasanit. Automjeti është në pronësi të Elis Bahushit.

Ai rezulton i arrestuar si pjesë e operacionit Volvo-4, ku përfshihen edhe vëllezërit Avdylaj në Shijak, operacion që lidhet përveç blerjes së votave, edhe me trafikun e drogës.

Bahushi ka biznese të shumta në qytetin e Elbasanit, veçanërisht një kompleks gjigant. Ai rezulton pronar edhe i disa makinave luksoze.

Ndaj tij, OFL-ja i ka dërguar letër gjatë muajit gusht për të deklaruar pasurinë.

Bahushi, është një nga 27 të arrestuarit e dy viteve më parë, i akuzuar si i përfshirë në ngritjen e laboratorit të përpunimit të heroinës në fshatin Brenog të Hasit. Nga hetimet e atëhershme dyshohej se 37-vjeçari Bahushi ka pasur rolin e transportuesit të lëndës narkotike dhe përbërësve të saj nga Turqia drejt vendit tonë.

Disa hyrje-dalje nga sistemi TIMS, ku Elis Bahushi ka udhëtuar më shpesh në Turqi, Maqedoni dhe Kosovë, provoheshin nga sistemi. Policia shprehej se Bahushi dhe familja e tij prej më shumë se 25 vitesh ushtronin aktivitetin e tyre tregtar në qytetin e Elbasanit, kryesisht në fushën e veshjeve dhe metrazhit.

Furnizimin me lëndë të parë, familja Bahushi e kryente në Turqi dhe për këtë arsye ka dyshime nga Prokuroria se dy ekspertët turq, të cilët janë shpallur në kërkim nga Policia shqiptare, të jenë dërguar në vendin tonë nga 35-vjeçari Elis Bahushi.