Aktualitet Dikur Tahiri e ‘internoi’ në Akademinë e Policisë, kush është oficeri që...

Dikur Tahiri e ‘internoi’ në Akademinë e Policisë, kush është oficeri që ekzekutoi arrestimin e ish-ministrit

Dikur Saimir Tahiri e ‘internoi’ duke e çuar në Akademinë e Policisë, por të premten Edmond Rizai ekzekutoi vendimin e gjykatës së Apelit të Posaçëm duke shtrënguar pranga në duart e ish ministrit të Brendshëm, i cili u dënua me 3 vite e 4 muaj burgim për shpërdorim detyre.

Edmond Rizai drejton sot Drejtorinë e Hetimit në Policinë e Shtetit, drejtori e cila kreu mbrëmjen e së premtes arrestimin e ish-ministrit Tahiri, në sallën e gjyqit.

Ish-shefi i OFL në Policinë e Shtetit, Edmond Rizai ishte kandidat potencial me Gledis Nanon për të marrë drejtimin e Policisë së Shtetit.

Ka mbajtur poste drejtuese për një kohë të gjatë që nga shef komisariati deri te zv/ drejtor dhe drejtor i hetimit të krimit.

Rizai qëndroi për disa kohë në akademi dhe u rikthye në Policinë e Shtetit si drejtues i drejtorisë hetimore në policisë e Shtetit, ish OFL, pas largimit të Artan Shkëmbit, kur erdhi ministër i Brendshëm Bledi Çuçi.

Gjithsesi ironia vazhdon. Gjyqtari Engert Pëllumbi që vendosi për burgun e Tahirit ishte ndër ata që e kaloi pa problem vettingun, me asnjë lloj problematike prej atyre që kanë nxjerrë jashtë drejtësisë me dhjetra kolegë të tij, e gjithashtu njihet për integritet profesional.

Por në një rast, emri i tij do qe në një listë të Tahirit në kulmin e pushtetit të këtij të fundit, teksa rendiste gjykatës që sipas tij kishin dhënë vendime të padrejta në raport me krimin. Por Tahiri nuk sillte shembuj konkretë se për ç’raste ishte fjala. Që prej atëherë apo më parë, në asnjë rast emri i Engert Pëllumbit nuk është përfolur si gjykatës i butë me krimin.