Sport Dimër i vështirë për Interin, “hija” e Contes po përndjek Spallettin

Dimër i vështirë për Interin, “hija” e Contes po përndjek Spallettin

Stina e dimrit duket e papërballueshme për Interin e Luciano Spallettit, pasi ashtu si vitin e kaluar, edhe këtë herë historia po përsëritet, duke bërë që edhe durimi i tifozërisë zikaltër ndaj trajnerit, të soset.

Humbja e djeshme në Torino ka shqetësuar shumë tifozërinë, shumica e të cilëve nuk i kanë pranuar aspak ndryshimet taktike të Spallettit dhe nuk kanë qenë të paktë ata që kanë kërkuar edhe largimin e teknikut.

Por më të shqetësuar janë drejtuesit kinezë të Interit, që pavarësisht investimeve, shohin që asgjë nuk ka ndryshuar dhe që skuadra nuk mban më tepër se dy muaj, pasi edhe këtë dimër, në periudhën dhjetor-janar, po sheh t’i sfumohen objektivat.

Dështimi për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve, por edhe grumbullimi i vetëm 12 pikëve në 8 takime gjatë këtyre dy muajve, kanë prishur qetësinë në ambientin zikaltër dhe testi me Lazion në Kupën e Italisë, mund të vendosë shumë, nëse Interi nuk do t’ia dalë të kualifikohet.

Shoqëria kineze që ka pronësinë e klubit nga Milano, kërkon të ndërtojë një skuadër të denjë për të luftuar për objektiva madhorë, por pas më tepër se një viti me Spallettin, po shohin që asgjë nuk ka ndryshuar, ndaj po mendojnë edhe një ndryshim në pankinë.

Si zakonisht për pankinat e mëdha në Itali, edhe Spalletti ndiqet nga “hija” e Antonio Contes, ish-trajner i Juventusit, Italisë dhe Chelseat, i cili aktualisht është i papunë dhe në pritje të një oferte të rëndësishme.

Marrëdhëniet me Marottën mbeten shumë të mira dhe për më tepër, pozitat e Spallettit janë lëkundur ndjeshëm, aq sa edhe vetë lojtarët nuk duket të kenë të njëjtin motivim për të luajtur me fanellën zikaltër, ndaj Conte është alternativa më e besueshme për t’u ulur në pankinën e Interit, duke filluar nga vera e ardhshme.

Por nuk duhet nënvlerësuar as një tjetër alternativë, ajo që ka bërë realitet ëndrrat e miliona zikaltërve në botë, Jose Mourinho, pasi tekniku portugez është i papunë dhe në pritje të një projekti të rëndësishëm.