Bota Diplomati amerikan viziton Shkupin dhe Athinën

Diplomati amerikan viziton Shkupin dhe Athinën

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, do të vizitojë Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit. Ai do të qëndrojë në Shkup dhe Athinë më 21 deri më 27 korrik, ku do të takojë zyrtarë qeveritarë, shoqërinë civile dhe udhëheqës biznesi.

“Në Shkup, Reeker do të takohet me presidentin, Stevo Pendarovski, kryeministrin, Zoran Zaev, ministrin e Jashtëm, Nikola Dimitrov dhe anëtarë tjerë të qeverisë për të diskutuar çështjet dypalëshe dhe rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.

Ndërkaq, në Athinë, gjithnjë sipas këtij njoftimi, diplomati i lartë amerikan, do të takohet me ministrin e jashtëm, Nikos Dendias, dhe udhëheqësit e tjerë të qeverisë për të diskutuar çështje thelbësore për marrëdhëniet dypalëshe duke përfshirë tregtinë dhe investimet, bashkëpunimin për sigurinë dhe mbrojtjen, stabilitetin rajonal dhe energjinë.

Marrëveshja ndërmjet Shkupit dhe Athinës për çështjen e mosmarrëveshjes dekadëshe për emrin e Maqedonisë së Veriut, është vlerësuar lartë nga administrata amerikane, dhe e njëjta është kërkuar të përdoret si shembull, për zgjidhjen e problemeve tjera në rajon.

Kjo marrëveshje i hapi rrugë anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE.