Sport “Diplomati” Gega: 5 pikë nuk janë asgjë, titulli ende larg

“Diplomati” Gega: 5 pikë nuk janë asgjë, titulli ende larg

Partizani është gati për sfidën ndaj Kastriotit. Trajneri i të kuqve e ka të qartë se titulli kampion kalon edhe në sfidat ndaj kundërshtarëve më të dobët në letër ndaj të cilëve, ekipi duhet të fitojë me çdo kusht.

Numri një i stolit vlerëson momentin pozitiv që po kalon skuadra. “Kemi bërë katër ndeshje me ta, i kemi idetë e qarta. Kanë ardhur nga dy ndeshje të mira dhe shkojmë në fushë për të dhënë më të mirën. Shënojnë Hebaj, Çinari dhe Mensah. Presion për t’i aktivizuar? Nëse nuk do të shënonin do të ishte problem. Pozitive është që shënojnë dhe na rriten opsionet. Është pozitive që kemi zgjidhje më shumë. Më kënaq që kanë shënuar. Sfida e kampionatit ndryshon nga e kupës”.

Tekniku i “demave” e di mjaft mirë që krutanët do të mbrohen mirë në “Selman Stërmasi”. “Jemi bërë gati për të gjitha aspektet. Do mundohemi ta zgjidhim. Është e sigurt që çdo ekipi që vjen në Tiranë mbrohet, por nuk harron edhe të sulmojë. Jemi gati, i kemi marrë masat”.

Afrimet e shumta gjatë janarit në mesfushë kanë bërë që Gega të ketë shumë opsione, por kjo mund të jetë një problem për të. “Nuk kemi futur asnjë jashtë radhe. Numri është i njëjtë, 25, 18 në bankinë dhe 11 në fushë. Ka edhe 16 ndeshje të tjera”.

Fjala titull mbetet ende e largët për “diplomatin” Gega që mendon se ekipi duhet t’i marrë të gjitha ndeshjet një nga një. “I marrim ndeshjet një e nga një, jemi me këmbë në tokë. Flitet shumë dhe pritshmëritë janë të mëdha. Pesë pikë janë shumë. Me rëndësi është të mos gabojmë”.

Partizani “akuzohet” se nuk shënon shumë, por Gegës nuk i intereson shumë, pasi mendon vetëm për fitoren. “Se ku i vë theks, lojës, golave apo rezultatit, nuk besoj se ju jeni në gjendje ta merrni vesh. Unë dua ndeshje, dua përformancën, në mënyrën se si ne e kemi përcaktuar. Golat janë zgjidhje, interpretime, nuk janë në dorën time. E rëndësishme është që ekipi përgjigjet, luajmë siç jemi formuar. Kemi pasur rastet tona, për fat kemi shënuar gol që na kanë çuar larg rivalëve. Po të vazhdojmë kështu, mirë do të jetë”.