Opinione Disa gra në politikë, si nxënësit në bankat e fundit

Disa gra në politikë, si nxënësit në bankat e fundit

Nga Helena Halilaj

Gjithmonë kam besuar se përfshirja e grave në politikë është tepër e rëndësishme. Gratë i japin frymëmarrje tjetër shoqërisë, përfaqësimit dhe vizionit. Gratë në politikë jo vetëm që e përmirësojnë politikën po duke marrë përgjegjësi të reja disiplinojnë përfaqësimin e barabartë dhe kultivojnë mundësitë e grave të tjera. Jam e mendimit të plotë se një grua në politikë është e domosdoshme jo vetëm në aspektin gjinor por vlerësimi në bazë të asaj çfarë japin dhe çfarë munden. Ne dimë plot raste suksesi të grave të cilat ia kanë dalë po aq mirë sa burrat.

Kohët që po vijnë po krijojnë mundësi të atashimit me suksesin të atyre që kanë vlera dhe jo përkatësi gjinore. Jam e bindur se ne si vendet e zhvilluara duke parë e marrë nga ato duhet të kemi orientim më të plotë të grave në politikë. Jo për tu dhënë mundësi por për tu dhënë hapësirën e nevojshme për kontributin e tyre.

Ka një pyetje që ngremë shpesh, e bëjnë politikën gratë apo gratë i bën politika?

Jam plotësisht e gatshme të them pas një reflektimi mbi gratë në politikë dhe politikën e grave se ka një partneritet ku gratë kanë bërë politika të mira para se të futen në politikë dhe raste ku politika u ka dhënë mundësinë te bëjnë politikë më të madhe e në disa raste kanë qenë jo me dimensionet e duhura në bërjen e politikës. Shumë herë gra që se kanë mbrojtur as gjininë e tyre, gra që kanë qëndruar në parlament si ato nxënësit në fund të bankës që koten e flenë në disa raste. Ka gra që kanë qenë në parlament sikur kanë ikur në pasarela pa dhënë dhe thënë asgjë në situata delikate ku zëri tyre duhet të ishte i pari.

Gratë që bëjnë politikat arsimore, vendore, sociale dhe administrative janë gra të cilat e dinë nga vjen rezultati i punës, kanë me vete një trastë me njohje, vlerësime, mësime dhe dinë të hedhin hapa me këmbet e tyre, njohin tokën ku mund të jenë te sigurta. Këto gra të cilat e njohin veten në punë, në fushata dhe në konkurrencë mes të shumtave dinë të jenë faktor, i duhen politikës. Gratë që i bën politika, pozicioni politik ndodh dhe të mësojnë, ndodh dhe shkëlqejnë, po është më mirë që disa gra që e kanë shtruar rrugën e tyre e jo disa domate që duan hunj të mbahen e të mos kalben pa u pjekur e të bien.

Gruaja me politikat e njohjes dhe vlerave i duhet politikës sot. Gruaja që identifikon vlerat dhe është e gatshme të konkurrojë në emër të vlerave.