Bota “Ditë e trishtë për vendin”, Biden: Vendimi i Gjykatës së Lartë e...

“Ditë e trishtë për vendin”, Biden: Vendimi i Gjykatës së Lartë e kthen Amerikën 150 vjet prapa

Presidenti Joe Biden bëri komentet e tij të para publike nga Shtëpia e Bardhë të premten në lidhje me vendimin e Gjykatës së Lartë të SHBA që përmbysi vendimin historik Roe kundër Ëade, që legalizonte abortin në mbarë vendin.

Presidenti Biden e quajti vendimin e Gjykatës së Lartë për abortin një “ditë të trishtuar për gjykatën dhe për vendin”. Ai tha gjithashtu se Gjykata e Lartë “e hoqi” të drejtën për abort.

“Gjykata parashtroi si arsyetim ligje shtetërore që kriminalizojnë abortin, të cilat dalin në vitet 1800. Me këtë vendim gjykata fjalë për fjalë e ktheu Amerikën 150 vjet mbrapa”, tha Biden

Biden iu referua zgjedhjeve të ardhshme në nëntor dhe ftoi votuesit duhet të votojnë për përfaqësuesit që do të rivendosin të drejtat e abortit.

“Më lejoni të jem shumë i qartë. E vetmja mënyrë për të siguruar të drejtën e një gruaje për të zgjedhur është që Kongresi të rivendosë mbrojtjen e Roe kundër Ëade si ligj federal. Asnjë veprim ekzekutiv nga Presidenti nuk mund ta bëjë këtë. Dhe nëse Kongresit, siç duket, i mungojnë votat për ta bërë këtë tani, votuesit duhet të dëgjojnë zërin e tyre. Këtë vjeshtë, ju duhet të zgjidhni më shumë senatorë dhe përfaqësues që do të kodifikojnë të drejtën e një gruaje për të zgjedhur në ligjin federal edhe një herë”, tha Biden.

Komentet theksojnë qasjen e tij ndaj kësaj faze të re të luftës për të drejtën ndaj abortit.

Shtëpia e Bardhë është përgatitur për këtë moment që nga një draft i vendimit që doli në shtyp në maj. Zyrtarët kanë diskutuar me udhëheqës shtetërorë, avokatë, profesionistë të kujdesit shëndetësor dhe të tjerë për t’u përgatitur për një të ardhme pa të drejtën e abortit.

Tani planet e Bidenit do të testohen në aspektin politik dhe rregullator.

Presidenti Biden dhe demokratë të tjerë shpresojnë të përdorin zemërimin mbi vendimin e gjykatës për të tërhequr votuesit në zgjedhjet e nëntorit për në Kongres. Megjithëse një legjislacion mbarëkombëtar që siguron të drejtën e abortit duket i paarritshëm, më shumë fitore nga demokratët në nivel shtetëror mund të kufizojnë përpjekjet republikane për të ndaluar këtë praktikë.

Gjykata e Lartë amerikane i ka dhënë fund mbrojtjes kushtetuese gati 50 vjeçare për abortin – një vendim i shumicës së saj konservatore për të përmbysur çështjen historike Roe kundër Ëade.

Vendimi i së premtes pritet të çojë në ndalimin e abortit në afërsisht gjysmën e shteteve amerikane. Vendimi, i paimagjinueshëm vetëm pak vite më parë, ishte kulmi i përpjekjeve prej disa dekadash të kundërshtarëve të abortit, i mundësuar nga një krah i guximshëm i djathtë i gjykatës që është forcuar nga tre anëtarët e saj të emëruar nga ish-presidentit Donald Trump.

Vendimi erdhi më shumë se një muaj pas rrjedhjes së informacionit për një draft-opinion nga gjyqtari Samuel Alito që tregonte se gjykata ishte e përgatitur për të ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm.

Sipas sondazheve të opinionit, vendimi e vë gjykatën në kundërshtim me shumicën e amerikanëve që favorizojnë mbrojtjen e së drejtës së abortit.

Gjykatësi Alito, në opinionin përfundimtar të lëshuar të premten, shkruante se çëshja Roe dhe Planned Parenthood kundër Kejsit, vendimi i vitit 1992 që ripohoi të drejtën e abortit, ishin të gabuara ditën që u vendosën dhe duhet të anulohen.

Autoriteti për të vendosur rregulla mbi abortin u takon degëve politike, jo gjykatave, shkroi gjykatësi Alito.

Me gjykatësin Alito u bashkuan gjyqtarët Clarence Thomas, Neil Gorsuch, Brett Kavanaugh dhe Amy Coney Barrett. Tre gjyqtarët e fundit janë të emëruar nga ish presidenti Trump. Gjykatësi Thomas votoi për herë të parë për të rrëzuar të drejtën e abortit 30 vjet më parë.

Gjyqtarët Stephen Breyer, Sonia Sotomayor dhe Elena Kagan – krahu liberal i gjykatës – ishin në kundërshtim.

Sipas statistikave të analizuara nga Associated Press, vendimi pritet të prekë në mënyrë disproporcionale gratë e pakicave që tashmë përballen me qasje të kufizuar në kujdesin shëndetësor.