Kryesore Ditë e zezë për SHBA: 1,356 viktima në 24 orët e fundit...

Ditë e zezë për SHBA: 1,356 viktima në 24 orët e fundit nga koronavirusi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hyrë në pikun e pandemisë koronavirus. Autoritetet raportuan për 1,356 viktima në 24 orët e fundit, shifra më tragjike që prej shpërthimit të virusit.

Mbi 12 mijë persona kanë humbur jetën në total për shkak të Covid-19.

Të prekurit në këtë vend janë rreth 370 000, më shumë se çdo shtet tjetër i botës. Nju Jorku mbetet shteti amerikan më i prekur, ndërsa shifrat po rriten me shpejtësi dhe në qytetin e Çikagos.

Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara koronavirusi i ri po përhapet më shpejt në komunitetet afro-amerikane që nuk respektojnë me përpikmëri karantinën apo distancën sociale.

De Blasio: Gjysmë milion njujorkezë do të humbasin punën nga COVID-19

Të paktën një gjysmë milioni njujorkezë pritet të humbasin punën e tyre si rezultat i ndërprerjes së punës nga shpërthimi i COVID-19, paralajmëroi kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio, ndërkohë që pretendimet për papunësi po rriten në të gjithë shtetin.

“Ne mendojmë se në një afat të shkurtër do të jetë diçka aty te gjysmë milion njujorkezë që do të humbasin punën e tyre si rezultat i COVID-19”, tha de Blasio në “The Brian Lehrer Show.”

Parashikimi i zymtë i kryetarit të bashkisë pasoi nënshkrimin nga presidenti Donald Trump i një pakete stimuluese prej 2 trilionë dollarësh muajin e kaluar, i cili përfshin 250 miliardë dollarë në pagesa direkte për amerikanët.

Por kryebashkiaku tha se pagesat e drejtpërdrejta për amerikanët nuk do të jenë të mjaftueshme.

“Ato para nuk do të shkojnë menjëherë në xhepat e njerëzve. Ka shumë njerëz, të cilët thjesht nuk kanë para”, theksoi ai.

Më shumë se 366 000 njujorkezë në të gjithë shtetin kanë plotësuar formularët e papunësisë, sipas shifrave të fundit të Departamentit Amerikan të Punës.

“Parashikimet fillestare flasin për një ndikim shumë të rëndë në punësim dhe vështirësi të mëdha ekonomike. I vetmi krahasim që mund të bëhet është me Depresionin e Madh”, tha de Blasio.