Politika Djali i kryebashkiakut kërcënon me jetë një zyrtar socialist

Djali i kryebashkiakut kërcënon me jetë një zyrtar socialist

Sekretari për Mediat dhe Çështjet Sociale i PS-së në Vaun e Dejës, Agron Ceka nëpërmjet një denoncimi publik, ka akuzuar djalin e kryetarit të bashkisë, Zef Hila se e ka kërcënuar me jetë.

Sipas Cekës, djali i kryebashkiakut Eduart Hila i ka shkuar në banesën e tij, mesditën e djeshme dhe i ka kërkuar që të mos postojë dhe të mos bëjë komente tek faqja e Partisë Socialiste Vau Dejës në Facebook kundër babait të tij, që është kryetar bashkie.

Ceka ka thënë pëtr mediat se Eduart Hila është shprehur tekstualisht kështu: “Nëse vijon postimet do të ekzistojmë në këtë botë ose unë ose ti”.

Sipas sekretarit të PS në Vaun e Dejës, ky kërcënim është një skandal i vërtetë. Ceka kërkon që strukturat e policisë të ndërhyjnë për të ndaluar këto kërcënime që vijnë nga njerëzit e kryebashkiakut Hila, ndërsa sqaroi se do të kallëzojë penalisht Eduart Hilën.