Kryesore Djegia e mandateve, D’Alema: Zgjedhje e papërgjegjshme e opozitës

Djegia e mandateve, D’Alema: Zgjedhje e papërgjegjshme e opozitës

Ish-kryeministri italian, Massimo D’Alema deklaroi sot se “opozita në Shqipëri ka bërë një zgjedhje të papërgjegjshme me djegien e mandateve”.

Nga studio e “TG2 Post”, D’Alema komentoi situatën politike në Shqipëri, bojkotin dhe djegien e mandateve nga opozita.

“Nuk jemi përballë një revolucioni. Europarlamentarët sot kanë qenë në Shqipëri dhe kanë vërejtur që vendi po ecën përpara me reformat, ka një vlerësim pozitiv. Jemi përballë një lëvizjeje që drejtohet nga një opozitë që ka bërë një zgjedhje të papërgjegjshme”, – tha D’Alema.

Ish-kryeministri italian u shpreh se “ne jemi miq të Shqipërisë dhe unë them se ka bërë një zgjedhje jo të përgjegjshme”.

“Ia bashkoj zërin tim BE-së, parlamentarëve të të gjitha partive, Ambasadës amerikane, kur them se vendimi i opozitës për të shkuar drejt kësaj përplasje të drejtpërdrejtë nuk ka mbështetje”, – tha D’Alema.

Sipas tij, “Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur, edhe pse ka shumë probleme që do të ishte e gabuar t’i mohonim”. Ajo që po ndodh, sipas D’Alemës, “rrezikon t’i bëjë një dëm shumë të madh Shqipërisë”.

“Ne kemi qenë gjithmonë miq të Shqipërisë. Kemi qenë pranë Shqipërisë në momentet më të vështira, në kriza kur mijëra shqiptarë u përpoqën të gjenin strehë. I kemi ndihmuar në momentin dramatik të luftës së Kosovës. Është një vend që ka ndryshuar. Ne kemi shumë shqiptarë mes nesh në Itali, por edhe një numër të rëndësishëm italianësh në Shqipëri. Shqipëria është një vend shumë ndryshe nga ai që ne kemi njohur në të kaluarën dhe nuk duam të kthehet më”, – tha D’Alema.

Shqipëria, sipas tij, “është në rrugën e duhur dhe këtë e thotë edhe Komisioni Europian”. “Do të doja të mbizotëronte ndjenja e përgjegjësisë dhe e dialogut dhe opozita të gjente rrugë demokratike. Shpresoj të shkojnë mirë gjërat. Shqetësimi im më i madh është të kthehet dialogu dhe qetësia në Shqipëri, një vend zhvillimi i të cilit është i rëndësishëm edhe për Italinë”, – tha ish-kryeministri D’Alema.