Politika Djegia e mandateve/ Meta, mesazh opozitës: SHBA e Brukseli s’do e vrasin...

Djegia e mandateve/ Meta, mesazh opozitës: SHBA e Brukseli s’do e vrasin mendjen

Në kushtet kur beteja politike mes mazhorancës e opozitës është ashpërsuar së tepërmi dhe kur shumë zëra nga rradhët e pakicës kanë hedhur në opinionin publik idenë e djegies së mandateve, presidenti Meta “këshillon” se më shumë se sa debati rreth këtij opsioni, opozita duhet të fokusohet tek një tjetër qasje, sipas tij më konstruktive dhe institucionale.

“Ajo që unë kam kërkuar dhe kërkoj gjithmonë është që opozita pavarësisht se ka vërejtjet e saj për funksionimin e Kuvendit dhe në shumë raste ka të drejtë për fat të keq, nuk mund të mendoj se duke qëndruar larg Kuvendit ndihmon veten e saj, ndihmon Kuvendin, të përmirësohet apo të funksionojë më mirë.

As nuk duhet t’i shkojë mendja se duke djegur mandatet dikush në Bruksel apo diku tjetër do të mbetet pa gjumë.

Mendoj se opozita duhet të ketë një qasje tjetër shumë më aktive, më konstruktive dhe më institucionale”, – ka “këshilluar” Presidenti Meta gjatë një intervistë të dhënë sot në mbrëmje për gazetarin Adi Krasta në News 24.