Sport Djokovic fiton betejën ligjore, por qeveria australiane nuk dorëzohet

Djokovic fiton betejën ligjore, por qeveria australiane nuk dorëzohet

Ylli botëror i tenisit, Novak Djokovic korri një sukses të parë me padinë e tij në gjykatë kundër refuzimit të hyrjes së të tij në Australi. Por nëse ai do të marrë pjesë në Australian Open kjo nuk dihet.

Tenisti i njohur, Novak Djokovic (Gjokoviç) pati sukses me padinë e tij kundër refuzimit të hyrjes së tij në Australi nga autoritetet e vendit. Kështu vendosi një gjykatë të hënën në Melburn. Por se cilat do të jenë pasojat për pjesëmarrjen e Djokovicit në turneun e tenisit, Australian Open që zhvillohet pas një jave është ende e paqartë. Qeveria australiane kishte bërë më parë të ditur, se në rast të një shfuqizimi të refuzimit të udhëtimit, do të ndërmarrë hapa të tjerë për t’i pamundësuar Djokovicit vizën.

Këtë e bërë të ditur, avokati i qeverisë, Christopher Tran në fund të seancës, shkruan agjencia e lajmeve, dpa. Ministri i imigracionit, Alex Hawke, sipas mediave, mund të praktikojë të drejtën e tij të shfuqizojë vizën. Ka konsultime për këtë, nëse ai do të zbatojë këtë kompetencë.

Djokovic, të cilit në rast të një vendimi kundër vizës i refuzohet hyrja në Australi për tre vjet, mund të ngrejë sërish padi. Por të paktën të hënën ai arriti një fitore në fazën e parë në Gjykatën Commonwealth Law Court në Melburn. Në fillim Djokovic u lejua të largohej nga hoteli i dëbimit, ku ndodhej ditët e fundit dhe mori gjërat personale e dokumentet, siç kërkoi gjyqtari Anthony Kelly.

Rasti Djokovic prej ditësh është vendosur në fokus të raportimit të mediave. 34-vjeçarit të mërkurën e kaluar në mbrëmje (ora lokale) iu mohua hyrja në aeroportin e Melburnit. Sipas autoriteteve australiane ai nuk arriti të paraqiste dokumentet e nevojshme për një leje speciale mjekësore për të hyrë në Australi edhe pa vaksinën kundër Coronës.