Bota Do të “djegë” Mike Pompeon dhe Mike Pence? Çfarë po planifikon Trump...

Do të “djegë” Mike Pompeon dhe Mike Pence? Çfarë po planifikon Trump në takimin e Partisë Republikane

Kontrolli i ish-Presidentit Donald Trump mbi Partinë Republikane pritet të jetë në qendër të vëmendjes në takimin vjetor të konservatorëve më të njohur amerikanë, i cili filloi sot në Orlando të Floridës.

Zoti Trump pritet të shpalosë vizionin e tij për të ardhmen e partisë, duke e pozicionuar veten si figura qendrore mes republikanëve.

Konservatorët e njohur të Kongresit, si senatorët Ted Cruz, Tom Cotton dhe Josh Hawley si dhe anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve Steve Scalise dhe Matt Gaetz, janë mes ndjekësve të tij më besnikë që do të flasin në Konferencën Konservatore të Veprimit Politik, ku zoti Trump do të mbajë fjalim të dielën.

Ish-presidenti pritet të flasë për të ardhmen e partisë dhe të verë në dukje ndryshimet në politikën brenda këtij grupi tashmë të përçarë nga divergjencat për rrugën që do të ndjekë.

“Ndarja tani është midis” elitave të Uashingtonit” dhe bazës konservatore në pjesët e ndryshme të vendit”, tha një këshilltar i zotit Trump që ndihmoi në përgatitjen e fjalimit.

Ish-presidenti pritet të kritikojë ashpër pasardhësin e tij, demokratin Joe Biden.

Javët e fundit të zotit Trump në detyrë u karakterizuan nga sulmi vdekjeprurës që mbështetësit e tij ndërmorën ndaj Kapitolit më 6 janar, për të mos lejuar Kongresin të çertifikonte fitoren e Presidentit Biden në zgjedhje, që zoti Trump pretendon pa fakte se erdhi për shkak të manipulimeve në masë.

Gjithsej 17 anëtarë të partisë së tij në Kongres u shprehën për ta hequr ose dënuar atë për nxitje rebelimi, por votimi në Senat nuk arriti shumicën prej dy të tretash të nevojshme për ta shpallur fajtor. Disa republikanë të njohur, si udhëheqësi i pakicës së senatit Mitch McConnell e kritikuan ashpër zotin Trump për rolin e tij në nxitjen e trazirës, por një numër më i madh anëtarësh ende e mbështesin ish-presidentin.

Zoti Trump përballet gjithashtu me sfida ligjore: Zyra e Prokurorit të Qarkut Manhattan po kryen një hetim penal ndaj Organizatës Trump, të drejtuar nga familja e tij.

Disa këshilltarë thonë se dëshirojnë që zoti Trump të mos e përdorë fjalimin për t’u marrë me çështjen e zgjedhjeve, se sa për të shpalosur rrugën që republikanët të marrin përsëri kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2022.

“Padyshim, ai do të flasë për bindjen e tij se zgjedhjet patën probleme të mëdha,” tha një këshilltar i zotit Trump. “Sidoqoftë, unë besoj dhe shpresoj që ai të përqendrohet në mënyrën se si ne do të luftojmë kundër agjendës socialiste të zotit Biden për Amerikën dhe shpresoj që kjo të ketë të bëjë me të ardhmen, jo me të kaluarën,” tha këshilltari.

Senatori Lindsey Graham, një nga aleatët më të afërt të zotit Trump në Kongres, u tha gazetarëve në Kapitol se ai pret që ish-presidenti të flasë për arritjet e tij politike, të metat e politikave të zotit Biden ndaj problemit të imigracionit dhe energjisë dhe të përcaktojë një të ardhme shpresëdhënëse sipas agjendës “Amerika e para”.

Senatori tha se i kishte thënë zotit Trump se “do të ishte një gabim i madh” nëse do të përqendrohej te zgjedhjet e kaluara. I pyetur nëse mendonte se zoti Trump do ta ndiqte këshillën, Senatori Graham u përgjigj: “Këtë do ta shohim”.

KANDIDATURË NË VITIN 2024?

Trump, 74 vjeçar, pritet të hedhë idenë e një kandidimi të ri për president në vitin 2024, një mundësi që do ta ndërlikonte të ardhmen politike të aspirantëve të tjerë republikanë për postin e presidentit, si ish-Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe ish-Zëvendës Presidenti Mike Pence.

Zoti Pence, i cili ishte në Kapitol me familjen kur protestuesit sulmuan duke brohoritur: “Të varet Mike Pence!” nuk pritet të marrë pjesë në konferencën e këtij viti.

Zoti Trump ka thënë në mënyrë të përsëritur se nënpresidenti Pence e kishte kompetencën për ta ndalur çertifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, edhe pse nuk e bëri.

Konferenca Konservatore e Veprimit Politik organizohet nga Bashkimi Konservator Amerikan, kryetari i së cilës, Matt Schlapp, është politikisht i afërt me zotin Trump. Konferenca është një ngjarje me rëndësi kryesore për folësit që duan të shikojnë se sa janë të interesuar dhe entuziastë zgjedhësit e ardhshëm për mundësinë që ata të kandidojnë për Shtëpinë e Bardhë.

Shumë republikanë mendojnë se zoti Trump do të hedhë idenë e një kandidimi të dytë për të çmobilizuar kandidatët e mundshëm për zgjedhjet e vitit 2024, por besojnë se më në fund ai do të heqë dorë. Vetë zoti Trump u ka thënë privatisht këshilltarëve se do të dëshironte të kandidonte./VOA