Kryesore “Do të mbetesh i paharruar”! Kolegët dhe miqtë, homazhe për të madhin...

“Do të mbetesh i paharruar”! Kolegët dhe miqtë, homazhe për të madhin Xhevdet Ferri

Miqtë dhe kolegët e aktorit Xhevdet Feri, i cili ndërroi jetë pasditen e sotme pas një sëmundjeje të rëndë, kanë shprehur ngushëllimet e tyre dhe i kanë bërë homazhe aktorit të mirënjohur shqiptar.

Regjisori Bujar Alimani shkruan në rrjetet sociale: “RIP Xhevdet Feri! E bëre premierën e fundit parmbrëmë me një kryerol!! LAMTUMIRË!”

“Delegacioni” është filmi i fundit që ka xhiruar Xhevdet Feri, me regji pikërisht të Bujar Alimanit.

Xhevdet Ferri dhe Bujar Alimani

Ndërkohë, Zamira Kita shkruan: “Lamtumirë, mik i dashur, Xhevdet Feri! Do të mbetesh i paharruar”.

“Xhodë Feri, aktor, mik, baba, bashkëshort… një largim sa i parakohshëm, aq i padrejtë”, lexohet në mesazhin e Adi Krastës.

Një mesazh ngushëllimi vjen edhe nga Kosova, ku “PriFest” shkruan në faqen e saj zyrtare në Facebook: “Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e mikut, kolegut dhe bashkëpunëtorit tonë Xhevdet Feri. Jemi krenarë që e njohëm dhe që në edicionin e 3-të të festivalit udhëhoqi platformën regjionale Prishtina Film FORUM. Ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë kineastëve shqiptarë. Faleminderit Xhoda!”.

“Lamtumirë Xhodë, s’kam fjalë!”, u shpreh kryeministri Edi Rama.

“Si për të gjithë artdashësit dhe simpatizantët e tij të shumtë, kjo humbje e parakohshme dhe e pazëvendësueshme më ka prekur thellë.

Mjeshtri i Madh i filmit, por edhe i teatrit, Xhevdet Ferri do të mbahet mend përherë për rolet dhe personazhet karakteristike, të luajtura me aq talent dhe mjeshtëri të rrallë, për të cilat meritoi të gjithë respektin, vlerësimet dhe simpatinë, nga shumë breza, duke na lënë pas një trashëgimi të vyer në kinematografi”, u shpreh presidenti Ilir Meta.

“Partia Demokratike ka qenë e nderuar që ka pasur në radhët e saj si deputet për një legjislaturë të Kuvendit të Shqipërisë, artistin Xhevdet Ferri. Humbja e tij, për çdo anëtar të PD dhe për çdo dashamirës të artit shqiptar, është e pazëvendësueshme. Me mendje dhe lutje jam sot pranë bashkëshortes, vajzës dhe të gjithë familjarëve në këtë ditë të dhimbjes së thellë dhe ngushëllohem se trashëgimia e Xhevdet Ferrit në teatër dhe kinematografi është burim frymëzimi për çdo artist të ri, si dhe për çdo qytetar që angazhohet për një shoqëri që e do artin dhe që lufton për kinemanë kombëtare. U prehtë në paqe!”, thekson Lulzim Basha mesazh ngushëllimi për ndarjen e parakohshme nga jeta të artistit Xhevdet Ferrit.

“Do kisha dashur të ndaja me ju suksesin e tij të radhës, rolin më të ri, projektin më të afërt, por fatkeqësisht do të duhet të ndaj dhimbjen e largimit nga kjo jetë e një prej aktorëve më të mirë shqiptarë, Xhevdet Ferri. Ai ishte nga ata aktorë që rolin e sillte mes nesh të gjallë, të prekshëm, të vërtetë”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti

Me lojën e tij i ka dhënë më tepër ngjyra galerisë së karaktereve, në filmat shqiptarë dhe do të mbetet i paharruar përmes interpretimesh në filmat “Era e ngrohtë e thellësive”, “Dhe vjen një ditë”, “Hije që mbeten pas”, “Përrallë nga e kaluara”, “Treni niset në 7 pa 5”, “Dasma e Sakos” e shumë e shumë të tjerë, deri te “Delegacioni”, filmi që nisi nga miku i tij i ndjerë, Artan Minarolli e u çua drejt suksesesh nga regjisori Bujar Alimani.

“Xhevdet Ferri, ti nuk e kishe mbyllur ende misionin tënd mes nesh, atë të kultivimit të shijes së mirë në publik e ndër studentë. Qofsh i paharruar!”, përfundoi Margariti