Bota Doktori belg akuzohet për 2 mijë vaksinime të falsifikuara

Doktori belg akuzohet për 2 mijë vaksinime të falsifikuara

Një doktor akuzohet se ka regjistruar 2 mijë vaksinime false në rajonin Wallonia në Belgjikë.

Doktori që nuk është identifikuar, do të akuzohet për falsifikim dhe rasti është në hetim.

Autoritetet pretendojnë se ai ka falsifikuar statusin e vaksinimit për të ndihmuar qytetarët sa i takon masave kufizuese.

Ministrja e Shëndetësisë së rajonit, Christie Morreale, e ka cilësuar ngjarjen si rastin më të rëndë të ndodhur me pandeminë.

Doktori mësohet se ka ofruar “shërbimin e tij në katër anët e rajonit” në jug të Belgjikës.

Rasti u zbulua kur u konstatua se doktori kishte lëshuar dy certifikata në vende të ndryshme në të njëjtën kohë.

Mjeku është hequr nga lista e mjekëve që kryen vaksinime dhe certifikatat e lëshuara prej tij janë “pezulluar” dhe është kërkuar vaksinimi i qytetarëve që i kanë përfituar.

Aktualisht, 75% e belgëve të rritur janë vaksinuar me të dy dozat por gjatë ditëve të fundit vendi ka njohur një rritje të infektimeve.

Të dielën, policia pati një përleshje me demonstruesit që protestuan kundër masave kufizuese.