Aktualitet Dom Gjergj Meta: Çfarë kërkon Zoti nga ne të bëjmë në këtë...

Dom Gjergj Meta: Çfarë kërkon Zoti nga ne të bëjmë në këtë situatë?

Bisedoi: Reldar Dedaj

E kisha menduar gjatë, shumë gjatë, një intervistë me Dom Gjergj Metën. Vetë mendimi, si diçka sipërfaqësore, për ta intervistuar nuk është ajo që kisha menduar dhe nuk është thelbi i asaj ‘gjësë’ që përkufizon hyrjen e kësaj interviste. Por për të shkuar deri aty, pra, tek thelbi, më lejoni të them diçka krejt tjetër si fillim.

Matanë është një portë. Një çarje që të shpie diku. Nuk ngjason as me atë portën që dikush pandeh ta ketë lexuar tek Dante Alighieri te Parajsa e Komedisë, ku hyet pa kthim. Përkundrazi, ajo është një portë që nuk e mbyll dot me këmbë, por je i shtërnguar ta lësh hapur për të tjerë, në një rast fatlum, dhe ta gjesh hapur kur të dalësh në kthim.

Ajo është një hapësirë reflektimi që na fton ne të gjithëve, papërjashtim të gjithëve, si mos të çohen dëm këto ditë të vështira, na fton për një rikonceptim të ri të jetës dhe na kujton pa pushim se ne nuk jemi me pushime, por në një jetë ndryshe. Na kujton vazhdimisht, përditë, në çdo çast se tundimi për të mos pranuar ndryshimin do të na e çojë dëm këtë kohë në pritje të Godonit.

E herë tjetër më krijon bindjen se i vetëm, në rrugën e vjetër të qytetit të Rrëshenit, e mbuluar krejtësisht nga mjegulla, ai po ecën me një fener në dorë, me një hap të kujdesshëm dhe në disa terrene shumë të vështira, ndërsa drejton tufën e rrezeve në pjesën e errët të qenies, pastaj nga një tjetër, pastaj kontrollon disi realitetin, kthehet mbrapsht, përkulet mbi një plagë të vjetër, më pas fillon të ecë drejt një kodre mbi qytet, e shuan fenerin dhe përpiqet të rrokë me të gjitha shqisat pamjen e ofruar.

Ky njeri, s’është as shtinak, as dogmatik, as nuk ka dalë për të kërkuar ithtarë dhe në këtë realitet nuk i përket asgjë drejtpërdrejt. Por ai atje banon. Ndoshta kjo i mjafton, sa për t’u kujtuar se çdo gjë që mund të prekë këtë tokë, i takon drejtpërsëdrejti.

Ju lutem, Dom Gjergji, a mund të na thoni si mund të mos çohen dëm këto ditë të vështira?

Mund të mos çohet dëm me kusht që te heqim dorë nga mendimi se do të kthehemi shpejt apo tërësisht aty ku ishim. Mund të mos çohet dëm nëse nuk e kthejmë atë hapësirën tonë të vogël, ku jemi detyruar të qëndrojmë për shkak të izolimit, në një miniaturë të ambientit tonë të madh ku kemi jetuar deri para pak ditësh. Për këtë duhet kreativitet, por sidomos aftësi (jo pa kosto) për të hequr dorë nga ajo çka kemi bërë gjithmonë. Duhet një rikonceptim i ri i jetës. Nuk jemi me pushime, por në një jetë ndryshe. Tundimi për të mos pranuar ndryshimin do të na bëjë të çojmë dëm këtë kohë në pritje të Godonit.

Si një katolik, jam i vetëdijshëm se Pandemia Covid-19 nuk është një dëshirë e Zotit, por a mund të jetë vullneti i tij?

Dëshira dhe vullneti janë e njëjta gjë (të paktën në pamje të parë). Nuk do ta thërrisja Zotin të hynte në valle në këtë moment, por do t’i kërkoja të më jepte dritë rreth kuptimit të jetës time dhe të kësaj situate që po kalojmë. Të thuash që Zoti e çoji këtë gjë është një përgjigje e shkurtër dhe e thjeshtë, një përgjigje për të larë duart nga mundi i kërkimit të së vërtetës. Është njësoj sikur të përqafosh një prej ideve komplotiste të këtyre ditëve. Zotin nuk e kemi armik, por partner në këtë situatë dhe në çdo situatë të jetës tonë. I vetmi vullnet i Zotit sipas Shkrimit të Shenjtë është që në tokë të jetohet dashuria, qoftë edhe në kohë koronavirusi.

Nuk e di a mund t’iu pyes, por gjithsesi unë po guxoj: Çfarë bën Zoti në këto rrethana që po përjeton njerëzimi?

Ai vazhdon të bëjë gjërat që ka bërë gjithmonë: të dojë botën dhe të kujdeset për të, të na shohë me dashuri e të na falë mëkatet.

Por pyetja mund të ishte çfarë kërkon Zoti nga ne të bëjmë në këtë situatë? Duket se ajo çka ne mund të bëjmë është të angazhohemi të kuptojmë se ku shfaqet dashuria e Zotit në këto momente e në këtë situatë? Ku shfaqet ai në jetën e njerëzve që po vuajnë apo që janë të frikësuar? Në këtë mënyrë nuk jemi fatalistë duke menduar se Zoti na e çoi këtë fatkeqësi, por bëhemi protagonistë në rindërtimin e botës. Nëse nga njëra anë mund të duket e ligjshme pyetja: pse o Zot neve? Pse tani? Nga ana tjetër është po aq detyrë e jona të vihemi në kërkim të një përgjigjeje për këto “pse”? E mjetet e kërkimit janë të shumtë: leximi i historisë me një sy meditues, reflektimi duke u nisur nga Fjala e tij, zhytja në bukurinë, nganjëherë tragjike, të veprave të artit, muzikës dhe letërsisë.

Jo pra çfarë bën Zoti, por çfarë bëjmë ne?

Shumë mjekë dhe infermierë po luftojnë në vijën e parë, ju lutem keni diçka për t’u thënë atyre?

Secili nga ne është i angazhuar të bëjë punën e tij. Nëse duam të përdorim metaforën e luftës mund të themi se mjekët dhe infermierët janë në front. Janë Gjeneralët dhe ushtarët tanë, që ndoshta nga kjo luftë do të dalin të plagosur e disa ndoshta s’do të kthehen kurrë. Shpesh i kemi kritikuar dhe akuzuar. Në fakt sistemi shëndetësor në Shqipëri lë hapësirë të madhe për kritika, gjykime dhe akuza, por në këtë moment ata duhen mbështetur e falenderuar, me shpresën se diçka do të ndryshojë edhe tek ata. Por ka edhe shumë njerëz të tjerë të angazhuar: punonjësit e rendit, vullnetarët që po ndihmojnë familjet e varfëra, gazetarët e terrenit, e kështu me radhë. Janë pjesë aktive e kësaj “lufte”

Dom Gjergji, këto ditë të vështira, njeriu nuk po flet më për rroba të bukura, makina të shtrenjta dhe para, ai duket se është kthyer tek vlera e jetës njerëzore, shëndeti dhe familja. Por, a ka gjasa që pas kësaj kohe ai do të qëndrojë gjatë tek këto vlera, d.m.th, a do ketë guxim t’a ndryshojë stilin e tij të jetës?

Për shumë njerëz do të ndryshojë dhe e shpresoj shumë, duke nisur nga vetja ime. Nga ana tjetër përvoja tregon se njeriu është shikimshkurtër. Diçka do të ndryshojë, ashtu sikurse pas Luftës së II Botërore ndryshoi qasja globale ndaj hebrenjve dhe antisemitizmi u kthye në krim. Kjo situatë na ka vënë në të njëjtin nivel të gjithëve dhe papritur nga ëndrra e pathyeshmërisë, e modelit të njeriut të fortë, e mbinjeriut, u zgjuam të gjithë të brishtë e të frikësuar. Atë përvojë limiti që përjetonin shumë njerëz të sëmurë apo me aftësi ndryshe, tani po e përjetojmë të gjithë. Më në fund u zbuluam njerëz dhe jo mbinjerëz. Ky virus u kthye në një lloj culpa felix (mëkati fatlum) që po na shtyn drejt një kthimi, ndryshimi. Por përgjigja e njeriut mund të jetë gjithmonë befasuese (për mirë ose për keq) e gjithsesi jo përfundimtare, pasi ne vazhdimisht kemi nevojë për riformatim të jetës tonë. Gjithsesi vështirësia më e madhe nuk do të jenë ekzistencat individuale, por strukturat e ndryshkura të pushteteve okulte që i kanë marrë frymën botës me babëzinë e tyre ekonomike. Ndryshimi i tyre do të jetë sfida më e madhe./TVT.al/